Balla: Reagimi ndaj deklaratës së ministres serbe i menjëhershëm, opozita po përdor çështje kombëtare për debat politik

TIRANË, 16 korrik/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dënoi deklaratën e ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila deklaroi se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviçit do të kishte kryer spastrim etnik në Kosovë.
Në fjalën e mbajtur në seancë plenare, Balla u ktheu përgjigje kritikave të partive të vogla opozitare duke rikujtuar se reagimi i Shqipërisë ishte i menjëhershëm dhe në koordinim me aleatët ndërkombëtarë.
“Sa i përket një deklarate jo vetëm të papërgjegjshme, por indinjuese dhe të rëndë të një anëtareje të qeverisë së Serbisë, reagimi i qeverisë shqiptare ka qenë në kohë, adekuat, nga Ministria e Jashtme në mënyrë të menjëhershme”, u shpreh Balla.
Ai akuzoi opozitën se po përdor një çështje kombëtare për debat politik, duke theksuar se deklarata të tilla nuk trajtohen me “karagjozllëk”.
“Këto janë çështje që nuk adresohen me karagjozllëk diletantësh politikë. Janë çështje të një rëndësie kombëtare. Ne nuk tallemi me çështjet kombëtare”, deklaroi ai.
Balla tha se kishte reaguar publikisht përpara kritikëve të qeverisë dhe se dënimi i deklaratës së ministres serbe është ndarë edhe me partnerët ndërkombëtarë.
“Kam nderin të jem kryetar i këtij grupi parlamentar dhe kam reaguar shumë përpara teje. Ti ishe në gjumë kur kam reaguar unë në emër të këtij grupi parlamentar”, tha ai.
Sipas Ballës, deklarata e ministres serbe është dënuar edhe në nivel europian.
“Ky akt i dënueshëm është dënuar edhe nga autoritetet politike me të cilat ne komunikojmë, Komisioni Europian në të gjitha nivelet, qoftë nga komisionerja Marta Kos, por edhe në nivele të tjera. Shqipëria reagon bashkë me aleatët e vet”, u shpreh Balla.
Balla solli në vëmendje edhe qëndrimin e kryeministrit Edi Rama për Kosovën, duke kujtuar deklaratat e tij në Beograd dhe Bruksel.
“Edi Rama është i vetmi kryeministër në historinë e këtij vendi që nga viti 1912, i cili çështjen e Kosovës e ka ngritur mu në mes të Beogradit dhe e ka bërë të qartë se Kosova është shtet i pavarur. Shqipëria mbështet fuqimisht anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe në Bashkimin Europian”, deklaroi Balla.
/m.m/ /a.g/