Salla: Dëftesat tregtare, instrument modern financiar në mbështetje të bujqësisë

TIRANË, 16 korrik /ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, paraqiti sot në Kuvend projektligjin “Për dëftesat tregtare mbi produktet bujqësore”, të cilin e cilësoi si një nismë që synon të krijojë një instrument modern financiar në mbështetje të zhvillimit të bujqësisë shqiptare.
Gjatë fjalës së tij, ministri Salla tha se projektligji i përgjigjet një nevoje konkrete të sektorit bujqësor, të evidentuar prej vitesh nga fermerët, bizneset agro-ushqimore dhe institucionet financiare.
“Projektligji mbështetet mbi dy instrumente kryesore ku i pari është dëftesa tregtare mbi produktin bujqësor të ardhshëm. Ndërsa instrumenti i dytë është dëftesa tregtare mbi produktin bujqësor të magazinuar. Në këtë rast, produkti që është prodhuar dhe depozituar në magazinë mund të përdoret si kolateral për financim. Në këtë mënyrë, ligji mbulon të gjithë ciklin ekonomik të prodhimit bujqësor, nga mbjellja deri te shitja e produktit”, theksoi Salla.
Një risi tjetër e rëndësishme, vijoi Salla, është se i gjithë ky mekanizëm do të funksionojë në mënyrë elektronike, nëpërmjet portalit e-Albania, duke garantuar procedura të thjeshta, transparente dhe të aksesueshme për të gjithë përdoruesit.
“Dëftesat do të regjistrohen në një regjistër elektronik të posaçëm dhe do të lidhen me regjistrin e barrëve siguruese, duke krijuar siguri juridike dhe duke shmangur përdorimin e shumëfishtë të të njëjtit kolateral. Po aq i rëndësishëm është edhe fakti që dëftesa tregtare përbën titull ekzekutiv, çka do të thotë se të drejtat dhe detyrimet e palëve mbështeten mbi një mekanizëm të qartë ligjor, duke rritur sigurinë e marrëdhënieve financiare dhe duke krijuar më shumë besim si për fermerin, ashtu edhe për subjektin që ofron financimin”, nënvizoi Salla.
Sipas tij, ky projektligj synon të krijojë një mjedis më të sigurt për investimet në bujqësi, të forcojë besimin ndërmjet aktorëve të tregut dhe të lehtësojë aksesin në financim për një sektor që vazhdon të përballet me sfida të veçanta.
“Po kështu, parashikohen mekanizma të qartë për monitorimin e kolateralit, përmbushjen e detyrimeve dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, duke garantuar që instrumenti të funksionojë në mënyrë të sigurt dhe të balancuar për të gjitha palët. Përfituesit e këtij projektligji janë të shumtë. Përfituesi i parë është fermeri shqiptar gjithashtu furnizuesit e inputeve, grumbulluesit, përpunuesit dhe eksportuesit, të cilët do të zhvillojnë marrëdhënie kontraktore më të sigurta dhe më të strukturuara me fermerët, duke ulur pasiguritë dhe duke rritur bashkëpunimin përgjatë gjithë zinxhirit agro-ushqimor”, nënvizoi Salla.
Ai shtoi se gjithashtu se nga ky projektligj përfitojnë edhe institucionet financiare, pasi krijohet një instrument i qartë dhe i mbështetur në ligj, që u jep më shumë garanci në financimin e sektorit bujqësor.
“Por në fund përfiton e gjithë ekonomia shqiptare”, tha Salla.
Më tej Salla vuri në dukje se ky projektligj është gjithashtu në përputhje me objektivin tonë për modernizimin e bujqësisë dhe afrimin e saj me praktikat më të mira evropiane.
“Në të gjithë Bashkimin Evropian, zhvillimi i sektorit nuk mbështetet vetëm te subvencionet, por edhe te instrumentet financiare që krijojnë besim në treg dhe lehtësojnë investimet private. Ky projektligj plotëson një hallkë që deri më sot ka munguar. Ai krijon një instrument që forcon marrëdhëniet ekonomike, lehtëson financimin dhe i jep më shumë siguri të gjithë aktorëve që operojnë në bujqësi”, tha ministri Salla.
/k.s/ /a.g/