Balla: Shehaj të sqarojë të dhënat e shitjes së vilës në Itali

TIRANË, 17 korrik /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në një videomesazh në rrjetet sociale iu drejtua kreut të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, duke i kërkuar sqarime lidhur me një vilë në Itali.
Në videomesazh, Balla ngre pikëpyetje mbi statusin e pronës, duke aluduar për mospërputhje në deklarimet e bëra nga Shehaj.
“A është 250, 498, 359? E ke shitur vjet në shtator apo është akoma e jotja? Se mos e nxjerr Kadastra e Italisë që është ende e jotja, se na merr në qafë pastaj. Shihi këto letrat dhe sqaroje pak këtë punë”, shprehet Balla në video.
Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, iu përgjigj duke theksuar se të dhënat për shtëpinë e familjarëve të tij janë publikuar me urdhër të kryeministrit Edi Rama.
Sipas kreut të partisë Mundësia kjo bëhet për shkak se qeveria kërkon të mbyllë gojën e deputetëve të Mundësia dhe të ndalen nga denoncimet e skandaleve korruptive të Ramës.
“Ne nuk ndalemi! Nuk na trembni dot, as me filmime dhe as me Taulant-a, as me krimin as me oligarkët, as me mediat tuaja të cilat i financoni me paratë e qytetarëve shqiptarë”, e mbyll reagimin e tij Shehaj.
/m.q/j.p/