Balla: Shqipëria, vendi organizator i Konferencës Rajonale Europiane të Interpol

Shqipëria do të mirëpresë në datat 11-13 qershor Konferencën Rajonale Europiane. Lajmi u bë me dije nga Ministri i Brendshëm, Taulant Balla nëpërmjet një postimi në Facebook, ku shkruan do të jenë të pranishëm drejtuesit më të lartë të policisë nga e gjithë Europa dhe vende të tjera për të diskutuar forcimin e bashkëpunimit.
“Në vlerësim të rezultateve të arritura nga Policia e Shtetit Shqipëria është përzgjedhur këtë vit si vendi organizator i Konferencës Rajonale Europiane të Interpol, organizatës më të madhe policore me 196 anëtarë në mbarë botën. Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit do të mirëpresin më 11-13 Qershor 2024 drejtuesit më të lartë të policisë nga e gjithë Europa dhe vende të tjera për të diskutuar forcimin e bashkëpunimit”, shkruan Balla.
Sipas Ministrit, vendi unë ka thelluar edhe më tej bashkëpunimin me Interpol dhe se gjatë 24 orëve të fundit kanë vijuar edhe ekstradimet e shqiptarëve të kërkuar nga drejtësia nga Spanja, Gjermania dhe Britania e Madhe.
“Shqipëria po thellon çdo ditë e më shumë bashkëpunimin me INTERPOL në luftën kundër krimit të organizuar, trafikut të lëndëve narkotike dhe armëve, në gjetjen e personave në kërkim nga drejtësia shqiptare si dhe në forcimin e kapaciteteve të Policisë së Shtetit në përballjen me krimet kibernetike. Gjatë 24 orëve të fundit, falë këtij bashkëpunimi, kanë vijuar ekstradimet nga Spanja, Gjermania dhe Britania e Madhe, të personave të kërkuar nga drejtësia shqiptare”, thekson Balla.
/rtsh.al/