Balla: Shteti i Berishës ka kapitulluar përballë krimit
Partia Socialiste, nëpërmjet deputetit Taulant Balla, ka akuzuar qeverinë e ministrin e Brendshëm se nuk janë në gjendje të garantojë sigurinë qytetarëve shqiptarë dhe kanw kapitulluar përballë krimit. Sipas Ballës, Policia e Shtetit është shndërruar në një strehë militantësh e individësh me precedentë kriminalë.
500 qytetarë kanë humbur jetën dhe janë plagosur vetëm në tre muajt e fundit, janë prova më tragjike se shteti ka rënë. Vetëm në Sirinë e Asadit dhe Shqipërinë e Saliut është regjistruar në këto muaj një bilanc kaq tragjik jetësh të humbura. 500 të vdekur e të plagosur nga krimi e aksidentet janë prova më dramatike se Sali Berisha dhe tufa e militantëve e badigardëve që drejtojnë sot Ministrinë e Brendshme e Policinë e Shtetit, kanë dështuar totalisht të garantojnë sigurinë e jetës dhe pronës të qytetarëve shqiptarë. Vrasjet, plagosjet, vjedhjet me dhunë, vjedhjet e makinave, transformatorëve, të shinave të trenit, grabitjet me armë të dyqaneve e bankave që janë kthyer tanimë në një epidemi të vërtetë, tonelatat e drogës që trafikohen çdo muaj janë fakte që flasin qartë për shthurjen e ligjit dhe rendit në Shqipëri.
Sot shteti i Sali Berishës ka kapitulluar përballë krimit. Ministri i Brendshëm del e sulmon opozitën e deklaron se janë marrë të gjitha masat për parandalimin e krimit. Por Flamuri e ka të shkruar në ballë, që nuk e bën dot Ministrin e Brendshëm, prandaj sot llogaritë ia kërkojmë Saliut, ka deklaruar Balla, duke renditur më tej shifrat e kriminalitetit në vend, krahasuar me vitin 2005.
Sali Berisha është mësuar të bëjë krahasime me 2005, unë do ta krahasoj me vetveten. Në vitin 2009 numri i vrasjeve ishte 72, në vitin 2011 u dyfishuan, 135 vrasje, ndërsa 8 mujori i vitit 2012 ka një bilanc lufte, shumë më të përkeqësuar se ai vitit të kaluar. Sali Berisha duhet të japë llogari përse në shtatë vitet e qeverisjes së tij plot 2000 shqiptarë kanë humbur jetën në aksidentet rrugore në rrugët e ndërtuara nga fahrinjtë e pushtetit të tij pa asnjë standard.
Është tanimë e qartë për të gjithë se Policia e Shtetit e Saliut është krejtësisht e paaftë të garantojë sigurinë publike në rrugë dhe në komunitet. Policia e Shtetit ka humbur besimin e qytetarëve sepse në vend që të jetë një institucion në shërbim të qytetarëve ajo është kthyer tanimë në një strehë militantësh e individësh me precedentë kriminalë e të përfshirë në grupe kriminale, në krye të të cilëve qëndrojnë badigardët e Saliut apo kamikazë si Flamuri. A ka mundësi të sqarojë Sali Berisha, se çfarë arritjesh në luftën kundër krimit e mbajnë në krye të Policisë së Shtetit ish-bodyguardin e tij Agron Kuliçin? E çfarë besimi mund të kenë qytetarët, çfarë frike mund të kenë sot kriminelët nga një polici, zyrtarë të lartë të së cilës kanë akuzuar drejtpërdrejtë Kryeministrin, Ministrin e Brendshëm tani President, Drejtorin e Përgjithshëm dhe Zëvendës Drejtorin e Policisë për lidhje të drejtpërdrejta me grupe kriminale, deklaroi Balla, i cili është ndaluar më tej në disa nga ngjarjet e bujshme ende të pazbardhura nga policia.
Kanë kaluar tre vjet nga vrasja e deputetit Fatmir Xhindi. Kush është vrasësi? A po vazhdojnë hetimet? Kanë kaluar më shumë se një vit e gjysmë (25 Tetor 2010) nga vrasja e kryekomunarit Remzi Veseli. Kush është vrasësi? Kanë kaluar 9 muaj nga vrasja makabër e gjyqtarit Skerdilaid Konomi (9 shtator 2011). Kush është vrasësi? Po për rastet e përsëritura të shpërthimeve të eksplozivit, si ka mundësi që nuk keni asnjë të ndaluar? Saliu e ka humbur tanimë betejën me krimin, sepse lufta ndaj krimit nuk bëhet me individë të kallëpit të Flamurit e Kuliçit, e as me militantë të inkriminuar si ata që kanë mbushur sot radhët e policisë. Beteja ndaj krimit do të fitohet vetëm me largimin e Saliut, kur policia e shtetit të fillojë sërish të veprojë si një institucion i depolitizuar e në shërbim të qytetarit. Partia Socialiste do ta shndërrojë policinë e shtetit në një forcë profesionale, në shërbim të qytetarit e jo në shërbim të partisë së radhës, ka përfunduar Balla.
5 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)
Balla: Shteti i Berishës ka kapitulluar përballë krimit burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip