Balla: Skenari i protestës u zbardh plotësisht, kërkesat u lexuan nga “zëdhënësi” i Iranit

TIRANË, 22 qershor /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, reagoi sot lidhur me protestën e sotme për Zvërnecin para Kryeministrisë, duke komentuar rolin e Dritan Goxhajt në paraqitjen e kërkesave të protestuesve.
Përmes një postimi, Balla tha se “skenari u zbardh plotësisht”, duke iu referuar faktit se kërkesat e protestuesve u lexuan nga Dritan Goxhaj, të cilin ai e cilësoi si një person që, sipas tij, ka mbrojtur publikisht regjimin iranian dhe ka mbajtur qëndrime kritike ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Izraelit dhe Shqipërisë.
“Sot skenari u zbardh plotësisht! Deklaratën me kërkesa në emër të protestuesve e mbajti “zëdhënësi” i Republikës Islamike të Iranit në Shqipëri. Personi quhet Dritan Goxhaj, i cili në media dhe rrjete sociale ka dalë prej kohësh në mbrojtje të regjimit terrorist iranian, duke sulmuar SHBA, Izraelin por edhe Shqipërinë”, theksoi Balla.
Balla u shpreh se e konsideron të papranueshme që një ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të mbajë, sipas tij, qëndrime në mbështetje të Iranit dhe kundër aleatëve strategjikë të Kosovës dhe Shqipërisë.
“E paimagjinueshme se si një ish-pjesëmarrës në UÇK sot bën avokatin e regjimit terrorist të Iranit kundër aleatit tonë SHBA, pa të cilët Kosova nuk do të ishte çliruar kurrë”, shkroi Balla.
Në reagimin e tij, kreu i grupit parlamentar socialist kritikoi gjithashtu mbështetësit e protestës, duke pretenduar se zhvillimet e fundit po nxjerrin në pah lidhje dhe qëndrime që, sipas tij, nuk përfaqësojnë interesat kombëtare.
“Tani “patriotët” edhe ditëzinjtë ta gëzojnë vulën e turpit! Avash avash, të gjitha po dalin! Dhe flamingot do habiten me veten e tyre si ranë me kokë mes korbave e sorrave të shqiptarisë së rreme”, theksoi Balla.
Protesta kundër investimit të planifikuar në Zvërnec vijon prej 23 ditësh javësh në Tiranë, ndërsa organizatorët kanë paraqitur një sërë kërkesash.
/gj.m/j.p/