Balla: Sulme të përsëritura të Berishës ndaj ambasadorëve, mbledhim komisionin e Etikës

TIRANË, 6 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dënoi sot deklaratat e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha në Kuvend, ndaj ambasadorit të Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato.
Balla i konsideroi këto deklarata, sulme të përsëritura dhe theksoi se Partia Socialiste do të depozitojë kërkesë pranë komisionit të etikës në Kuvendin e Shqipërisë që Berisha të japë shpjegime por edhe Kuvendi të ndalë njëherë e përgjithmonë sulmet.
“Sulmi që sapo ndodhi në këtë foltore kundrejt ambasadorit të BE-së në Shqipëri është i përsëritur. Kjo nga i njëjti individ për 35 vite kundër ambasadorëve të SHBA-së, kundër ambasadorëve të tjerë të vendeve mike, kundër ambasadorit të BE-së”, u shpreh Balla.
Balla tha se kjo bie ndesh me parimet e Konventës së Vjenës dhe me interesin kombëtar të Shqipërisë”.
“BE mbetet partneri ynë më i rëndësishëm dhe Shqipëria brenda vitit 2030 do të jetë anëtare e BE-së, pavarësisht orientimit tuaj aspak në favor të kësaj aspirate historike”, tha Balla, duke iu drejtua opozitës.
Duke folur për deklaratat e Berishës në Kuvend, Balla kujtoi se një prej arsyes së shpalljes “non grata” të Berishës nga SHBA janë sulmet e përsëritura kundër ambasadorëve.
Në vijim të fjalës, Balla akuzoi opozitën për manipulim të debatit lidhur me ligjin për barazinë gjinore dhe anti-diskriminimin, duke theksuar se ky ligj është miratuar në vitin 2010 me firmën e Sali Berishës dhe se në Republikën e Shqipërisë “ka vetëm burra dhe gra”.
Ai kujtoi se Konventa e Stambollit është firmosur nga Berisha në vitin 2011 dhe ratifikuar në 2012, ndërsa shtoi se “politizimi i kësaj çështjeje nuk ka asnjë lidhje me përmbajtjen e ligjit”.
“Gratë dhe burrat e këtij vendi do të paguhen njësoj, dhe ky është qëndrimi i kësaj shumice që ka sjellë numrin më të madh të grave në parlament që nga viti 1920,” u shpreh Balla.
Ai e cilësoi gënjeshtër interpretimin e opozitës për “përkatësinë e shumëfishtë”, duke sqaruar se ajo lidhet me diskriminimin social, jo gjinor.
Kreu i grupit socialist përmendi gjithashtu rritjen historike të buxhetit të shtetit, me fonde të shtuara për pensionet, shëndetësinë dhe mbrojtjen.
Gjatë diskutimit të projektligjit “Për barazinë gjinore” në Kuvend, kreu i PD-së Sali Berisha u shpreh se ambasadori i BE-së në Tiranë Silvio Gonzato po përpiqet t’i imponojë shoqërisë shqiptare standarde të shumëfishta gjinore.