Balla: Sulmet ndaj Policisë janë sulme ndaj shtetit, pas protestave ka dorë të huaj

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka deklaruar se pas protestave të zhvilluara në Tiranë qëndrojnë edhe ndërhyrje të huaja që sipas tij, synojnë destabilizimin e Shqipërisë.
Ai theksoi se Kuvendi do të vijojë punën normalisht deri në përfundim të mandatit, duke respektuar, sipas tij, besimin e qytetarëve dhe angazhimin për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Ende nuk i dimë arsyet se përse PD, ndjesë pastë, e ka bojkotuar këtë seancë, por shpresoj shumë që të jetë në seancat në vijim. Kush mendon se mund t’u bëjë presion deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë për të ushtruar detyrën e tyre në përputhje me Kushtetutën dhe detyrimin që Kuvendi ka për të vijuar punën në këtë moment historik të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, e ka shumë gabim. Jo sot, por çdo ditë, ky Kuvend deri në maj të vitit 2029 do të vazhdojë të ushtrojë mandatin që na kanë besuar qytetarët shqiptarë dhe PS do t’u qëndrojë besnike plot 856 mijë votave që na kanë sjellë në këtë sallë. Të dënojmë aktet e dhunës të inspiruara dhe të frymëzuara nga individë kriminalë të përfshirë brenda protestës. Ne u kemi treguar qytetarëve shqiptarë vetëm pak prej tyre, të cilët janë të përfshirë në aktivitet kriminal të trafikut ndërkombëtar të drogës, në aktivitet kriminal të grabitjes, të dhunës”, u shpreh Balla.
Duke folur për përplasjet gjatë protestës, Balla tha se tre punonjës të Policisë së Shtetit mbetën të plagosur dhe se sulmi ndaj efektivëve është sulm ndaj vetë shtetit. Ai bëri thirrje për një qëndrim të unifikuar të Kuvendit në mbështetje të institucioneve dhe theksoi se objektivi kryesor mbetet anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“3 punonjës policie janë në këto momente të plagosur, të gjakosur dhe ky Kuvend nuk mund të heshtë. Kushdo që tenton të ngrejë dorën kundër Policisë së Shtetit, ka ngritur dorën kundër vetë shtetit. Gjaku i punonjësve të Policisë është gjaku i shtetit. Qëndrimi i këtij Kuvendi duhet të jetë i qartë, jo i ndarë në krahë. Detyra jonë është të vazhdojmë përpara, në detyrën tonë historike që brenda këtij mandati ta bëjmë Shqipërinë anëtare të BE-së. Protestuesve, në emër të Grupit Parlamentar të PS-së, dua t’u jem i drejtpërdrejtë. Pak ditë na ndajnë nga ditët kur koha e dialogut me ju, që kishit arsye legjitime për të protestuar, po vjen. Që nga shqetësimet për natyrën deri te zemërimi i secilit prej jush ndaj atyre që kanë shpërdoruar besimin mbi karrigen e pushtetit, dhënë nga PS”, tha ai.
Në fund të fjalës së tij, Balla hodhi akuza për ndërhyrje të huaja në zhvillimet politike në vend.
“Qëllimet e interferencave të huaja. Kush në Shqipëri nuk e beson më se këtu është dorë e huaj që sot po paguan para për të destabilizuar Shqipërinë, duhet ta kuptojë qartë se kjo është jo vetëm Irani, jo vetëm vende të tjera fqinje që nuk duan ta shohin Shqipërinë të zhvilluar në turizëm, por edhe aktorë të tjerë, përfshirë këtu Kremlinin”, theksoi Balla.
/rtsh.al/