Balla: Vendimet e gjykatave, Berisha nuk i respekton

Tiranë, 25 nëntor NOA Sali Berisha nuk mund të ketë si alibi të marrjes peng të kutive të votimit të 28 qershorit asnjë vendim gjykate, sepse nuk ka një vendim gjykate që bllokon hapjen e kutive nga komisionet hetimore të Kuvendit.
Kështu ka deklaruar sot deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla i cili theksoi se Berisha është fajtori direkt i dështimit në përmbushjen e kushteve për liberalizimin e vizave.
Kam këtu disa urdhra të Sali Berishës dhe të vartësve të vet që urdhërojnë Zyrën Përmbarimore të mos zbatojë vendimet e gjykatës. Ky është shteti i Sali Berishës, ku kryeministri urdhëron mos zbatimin e vendimeve të gjykatës.
Kryeministri i fundit komunist në Evropë, ka edhe shtatë ditë kohë për tiu përgjigjur apelit tonë dhe të qytetarëve shqiptarë për hapjen e kutive, në të kundërt do të ikë bashkë me kutitë.
Nuk mund të festojë rrëzimin e murit të Berlinit në Shqipëri, ky sekretar partie i pandreqshëm, që në 8 dhjetorin e 19 viteve më parë, mbante në xhep teserën dhe paguante rregullisht kuotat e Partisë së Punës tha Balla.
k.k/NOA