Balla dhe Dalipi padisin Pollon në prokurori për shpërdorim detyre
Opozita
Deputetët e PS-së dorëzojnë dosjen për tenderin e paketës dixhitale
Fatjona Mejdini
Partia Socialiste dorëzoi dje në Prokurorinë e Tiranës padinë penale ndaj ministrit për Inovacionin, Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit, Genc Pollo, me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tenderët publikë. Padia e depozituar dje nga dy deputetët e PS-së, Alfred Dalipi dhe Taulant Balla, erdhi në kuadër të akuzave të bëra publike në Parlament dhe media për abuzimet që ministri Pollo po bën me tenderin e transmetimeve dixhitale me një vlerë prej më shumë se 20 milionë euro. Pas depozitimit të kësaj padije të paralajmëruar, reagoi dhe vetë ministri, duke theksuar se deputetët socialistë mbronin interesat e kryetarit të partisë së tyre dhe të familjarëve. Pollo deklaroi se në rast se gjykata do e detyronte deputetin Balla ta dëmshpërblente, atëherë ato para do ti jepeshin Kryqit të Kuq.
Padia
Ministri i Inovacionit tashmë pritet të përballet me organin e akuzës në lidhje me dyshimet se ai ka shpërdoruar pozicionin publik dhe ka shkelur rregullat e tenderimit për projektin e dixhitalizimit të sistemit transmetues në vend. Deputeti i PS-së, Alfred Dalipi, theksoi se prokuroria duhet ta parandalonte vijimin e këtij tenderi, i cili do të kishte pasoja të rënda financiare për vetë qytetarët shqiptarë. I bëjmë apel prokurorisë që të nisë një hetim sa më shpejt për të parandaluar një vepër penale, e cila do të detyronte autoritetet dhe shtetin shqiptar pas kryerjes së tenderit në detyrime financiare, theksoi Dalipi. Nga ana tjetër, deputeti Balla i konsideroi fare të hapura shkeljet e ministrisë që drejton Pollo, duke theksuar se ministri po kërkon të përfitojë sa më shumë dhe sa më shpejt përpara se të largohet nga pushteti. Tenderi është njoftuar që do të mbahet me datë 13 dhe vetëm katër ditë më pas do të shpallet fituesi dhe brenda dy javëve do të lidhet kontrata. Sigurisht që e gjitha kjo bëhet me qëllimin e qartë që të mbyllet sa më shpejt, sepse 23 qershori po vjen, se qoftë Pollo, qoftë Berisha nuk do të jenë më në qeverisje pas 23 qershorit, theksoi Balla. Por i menjëhershëm ishte edhe reagimi i vetë ministrit pas kësaj çështjeje, i cili nuk dha detaje për rastin në fjalë, por foli për arsyet që i kishin çuar deputetët socialistë drejt kësaj padie. Taulant Balla, sa herë që kalon nga prokuroria, hedh një shuk me letra dhe përmend emrin tim. A vepron për hesap të Edi Ramës, apo për hesap të biznesit të kunatit, apo të të dyve bashkë, pak më intereson se çfarë bën ky gojëpalarë. Mbetem i vendosur që, nëse sërish gjykata e urdhëron Ballën të më dëmshpërblejë, paratë do tia dhuroj Kryqit të Kuq shqiptar, theksoi Pollo.
Dosja
Gazeta Shqip ka botuar një pjesë të dokumentacionit për tenderin e dixhitalizimit, ku duken qartë shkeljet jo vetëm në procedurat e tenderimit, por edhe për sa i përket mospërgatitjes së institucioneve për një projekt të tillë të rëndësishëm.
Balla dhe Dalipi padisin Pollon në prokurori për shpërdorim detyre burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email