Balla i përgjigjet deputetes Metaliaj: Brenda një viti AMP ka kryer 297 referime

TIRANË, 19 korrik/ATSH/ Ministri i Brendshëm, Taulant Balla deklaroi se “Policia sot e bën detyrën më së miri”, ndërsa u shpreh se “brenda një viti AMP ka kryer 297 referime”.
Balla replikoi me deklaratën e deputetes demokrate Lindita Metaliaj në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, sipas së cilës “drejtuesi i SPAK u shpreh qartë se nuk bashkëpunon me Policinë e Shtetit sepse dekonspirohen operacionet e SPAK”. “Si mund të ketë besim qytetari te Policia e Shtetit, kur këtë e pohon drejtuesi i SPAK-ut”, tha Metaliaj.
Gjatë diskutimit në parim të projektligjit “Për Policinë e Shtetit”, ministri i Brendshëm tha se nuk mund të hidhet baltë mbi punën e punonjësve me uniformë.
Duke iu referuar të dhënave 1-vjeçare, që përkojnë me mandatin në krye të Ballës tek Ministria e Brendshme, ai tha se Policia e Shtetit sot e bën detyrën më së miri, por si në çdo lloj pune a veprimtarie, ka vend për t’u përmirësuar.
“Si në çdo lloj organizate ku ka më shumë se një person, janë shumë, 10 mijë, pyll pa derra nuk ka. Ndaj sot rezultatet e punës së procesit të vetëpastrimit të PSH janë mbresëlënëse. Nga 15 korriku i vitit të kaluar deri më sot, që koiçidon me raportimin 1 vjetor, janë 297 raste të referuara nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore me 438 subjekte, 424 punonjës policie ndër ta, se janë edhe nga Garda e MZSH. Sot Policia e Shtetit është në ditët më të mira të bashkëpunimit me agjencitë ndërkombëtare, me Interpol, Europol ku nuk ka një ditë, falë këtij bashkëpunimi nuk gjejmë, ndalojmë persona me hesape të hapura me drejtësisë”, nënvizoi ministri.
“Ju kur ju intereson, e lexoni si t’ju teket një deklaratë të drejtuesit të SPAK dhe uroj të ndiqni standardin, se mund t’ju tërheqin vëmendjen sonte në darkë tek ‘Rruga e Shpresës’; ju SPAK e quani SPAK apo ‘Skrap’? Nëse e quani SPAK, ju them se Policia e Shtetit ka bashkëpunim të shkëlqyer, para 3 ditësh kishim një operacion të suksesshëm në Shkodër, dhe punën më të madhe në territor e bën Policia e Shtetit. J’ua qaj hallin se një parti politike që e ka udhëheqësin me probleme me drejtësinë, kjo reflektohet”, replikoi Balla.
/m.m/