Veliaj: Kamza dhe Tirana do të lidhen me disa ura të reja, do të jetë aksi më i madh ekonomik

TIRANË, 19 korrik /ATSH/ Pas Urës së Babrrusë, Tirana dhe Kamza do të lidhen shumë shpejt edhe me disa ura të tjera, që shtojnë lidhjet ekonomike mes dy qyteteve.
Në takimin me strukturat e PS në Kamzë, ku u shprehu mirënjohjen socialistëve për kontributin ndër vite, Drejtuesi Politik për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, tha se, së shpejti nis ndërtimi edhe i urave të tjera, që do t’u vijnë në ndihmë qytetarëve dhe bizneseve në të dyja anët e lumit.
“Dikur Ura e Babrrusë ishtë një shteg i ngushtë, ku makinat prisnin në radhë për ta kaluar, sot ura e re me dy korsi është më mirë, por sërish nuk mjafton. Duhet të nisim punën urgjent për urat e tjera dhe jam i bindur se po të vijojmë këtë punë siç e kemi nisur, aksi Tiranë-Kamzë do jetë aksi më i madh ekonomik, financiar, i punëdhënies, i arsimit dhe i investimeve në Ballkan”, tha ai.
Veliaj deklaroi se, Tirana dhe Kamza sot nuk kanë asnjë dallim nga ana infrastrukturore, falë punës së bërë.
“Kur thua se je nga Kamza sot, tregon se je dikush që i ka arritur gjërat me punë e përpjekje, që e ke krijuar shtëpinë apo biznesin nga zero. Kur shikoj 10-at e çunave e gocave, jo vetëm në gjimnaze, por edhe kur vijnë në universitet në Tiranë, meritojnë të gjithë respektin. Dikur, të thoje se ishe nga Bathorja, nga Laknasi, Domja, të thoje se ishe nga Babrroi, dukej sikur vije nga një planet tjetër. Sot, vjen nga Tirana në Kamzë dhe nuk e dallon dot ku është vija e verdhë e ndarjes. Në qoftë se deri dje krahasimi ishte si dita me natën, sot është ditë dhe dritë në të dy anët e vijës së verdhë. Këtë e bën njeriu i punës, skuadra e punës, partia që mendon për njerëzit dhe që mundohet që çdo ditë të vendosë nga një gur, për të lënë një gjurmë të një pune të jashtëzakonshme”, tha ai.
Ai u shpreh se, Zona e Lirë Ekonomike, TEDA Tirana, do të gjenerojë vende pune edhe për Kamzën.
“Ne mund të bëjmë një histori suksesi të jashtëzakonshme jo vetëm me lidhjet fizike, me urat, por edhe me Zonën e Lirë Ekonomike. Me bizneset e reja digjitale, automotive, dhe të teknologjisë që do operojnë aty, do të kemi një histori suksese për djemtë e vajzat e mrekullueshme të Tiranës dhe Kamzës”, tha Veliaj.
Veliaj për opozitën: Në fushatë xhirojnë gomat, kur humbasin djegin gomat
Në takimin me socialistët e Kamzës, drejtuesi politik i PS-së për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj tha se opozita që djeg goma sot, është po e njëjta me ata që dje bllokonin këndet e lodrave për fëmijë në Tiranë.
“Sot Parku i Paskuqanit hahet rrotë më rrotë me Parkun e Liqenit të Tiranës. Ju kujtohet, gjëja e parë që bëmë në Tiranë ishte një kënd lodrash te liqeni. Ata që qeverisnin Kamzën dhe Tiranën deri dje, erdhën me pistoletë për ta prishur. I keni parë si vijnë vërdallë nëpër Tiranë, djegin goma? I keni parë sesi në fushatë xhirojnë gomat, kurse kur humbasin djegin gomat? Ata janë një parti që e ka mendjen te rrota, ndërkohë bota po flet për inteligjencën artificiale. Jemi në 2024 dhe artikulimi politik me zjarr, me molotovë, me bomba, me vulgaritet, me të shara është diçka që i përket të kaluarës, jo vetëm të kaluarës së Shqipërisë, por të kaluarës së botës”, tha ai.
Veliaj nënvizoi se PS-ja është e vetmja forcë politike, e cila flet me vepra. “Sa flet një kopësht në Kamëz, që fiton çmim ndërkombëtar për arkitekturë, nuk flet asnjë fjalim tjetër. Sa flet Parku i Paskuqanit, që mbushet me jetën e të rinjve, nuk ka nevojë fare për fjalim. Ndaj, sot ne kemi një moment reflektimi sepse gjërat nuk kanë qenë gjithmonë kështu. Ne, si parti, kemi kaluar momente shumë të vështira. Është inkurajuese që është hapur hetimi për 21 janarin. Nuk po flas përpara 100 vitesh, por përpara pak vitesh, po të ishe socialist vriteshe me plumba në mish. Të ishe socialist në 96, 97, 98, ishe mish për top. Se po të ishe te SHIK-u i Saliut promovoheshe po të kishe rrahur një socialist”, tha ai.
Drejtuesi politik i PS solli në vëmendje edhe presionet e ish-kryebashkiakut Xhelal Mziu, aktualisht deputet i PD, ndaj votuesve në Kamëz. “Kush ishte socialist në Kamëz ishte dy herë në opozitë sepse ishte dhe ky Saliu i vogël, i shamikuqes, këtu në Kamzë. Ishte Saliu i madh, por ishte akoma më represiv ai i vogli, se ai ta dinte shtëpinë, dinte ku ta priste ndihmën ekonomike, dinte ku mos të ta regjistronte fëmijën në kopësht, dinte ku ta hiqte babën nga puna. Ndonjëherë, Salinjtë e vegjël ishin më të egër. Se në atë parti, ju e keni parë, kush djeg më shumë promovohet, kush ulëret më shumë, kush shan më shumë, kush fyen më shumë”, tha ai.
/r.e/