Balla kërkon rikthimin e debatit “jashtë rendit” në fillim të seancës

TIRANË, 16 prill /ATSH/ Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, propozoi në Kuvend rikthimin e diskutimeve për çështjet jashtë rendit të ditës në fillim të seancës plenare. Ai kujtoi se deri në vitin 2011 këto çështje trajtoheshin në hapje të seancës, ndërsa sipas tij, ndryshimi u bë në mënyrë të njëanshme nga shumica e asaj kohe.
Balla theksoi se kjo praktikë duhet të rikthehet, duke sugjeruar një orë të dedikuar në fillim të seancës për diskutime jashtë rendit të ditës. Sipas tij, kjo do t’i japë fund situatave që i cilësoi si “qesharake”, ku në emër të procedurës nuk zhvillohen debate reale.
Ai i bëri thirrje anëtarëve të Këshillit të Rregullores që të mbështesin propozimin dhe të rishikojnë vendimin e marrë në shkurt të vitit 2011, duke rikthyer një praktikë që, sipas Ballës, garanton më shumë hapësirë për debat parlamentar.
“Në mënyrë të njëanshme nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike në vitin 2011 u hoqën për të shkuar në fund të seancës. Zonja Topalli ka qenë kryetare e Kuvendit, kolegu Patozi nuk është më mes jush. Nuk shoh ndonjë tjetër që të jetë nga ata që kanë qenë në 2011-ën. Ne kemi pasur një debat të ashpër, por pse u hoq çështja? Çështjet e rendit të ditës dhe shkuan në fund. Tani ju kanë ardhur mendtë, edhe me të drejtë thoni ka disa çështje që deputeti duhet të ngrejë që në fillim të seancës.
“Dakord, tani kam një propozim. Meqenëse jemi në moment, ndryshim është rregullore. A jeni dakord që ta rikthejmë këtë 1 orë për çështje jashtë rendit të ditës në fillim të seancës, siç e kemi pasur? Edhe t’i japim fund kësaj situate qesharake, që në emër të procedurës që asnjëri deri tani s’ka folur për procedurë dhe ta fusim në hulli të rregullores”, tha Balla.
/m.q/a.f/