E Martë, 3 Nëntor 2026

Balla me drejtues dhe oficerë të Gardës: Veprimi ynë do jetë i menjëhershëm nëse shkelni ligjin dhe kodin e etikës

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla gjatë një takimi me drejtues dhe oficerë të Gardës së Republikës ka garantuar se do të vijojnë rritja e mbështetjes ndaj tyre, në trajtimin financiar,  infrastrukturë dhe teknologji.

Balla u shpreh se respektimi i Ligjit dhe Kodit të Etikës gjatë ushtrimit të detyrës dhe jashtë saj, duhet të jetë norma dalluese e kësaj strukture elitare sigurie.

Sakaq, duke u ndalur te arrestimi i disa ditëve më parë të një punonjësi të Gardës së Republikës, pasi gjatë një konflikti në Hamallaj qëlloi me armën e shërbimit në ajër, Balla paralajmëroi se veprimi do jetë i menjëhershëm për këdo që shkel normat etike të funksionimit të Gardës.

“Të jeni të sigurt se në këtë detyrë të re do të bëj gjithçka që duhet të bëjë për të garantuar një trajtim financiar sa më të mirë për të gjitha nivelet e strukturës së Gardës.

Sot jam këtu dhe për të adresuar një problematikë të një fenomeni që nuk duhet të ndodhë më, me asnjë punonjës të gardës, lidhur me një rast të bërë publik së fundmi, ku veprimi ynë ishte i menjëhershëm dhe do jetë i menjëhershëm në të gjitha rastet ku një anëtar i kësaj Garde do të shkelë normat etike të funksionimit dhe të qenit e të pasurit nderin për të qenë anëtar i Gardës”, tha Balla. Më tej, Ministri u ndal te Samiti i Procesit të Berlinit që do të mbahet në Shqipëri më 16 tetor, ku theksoi se mbarëvajtja e këtij aktiviteti të rëndësishëm do të garantohet nga Garda.

“Ndër vite Garda e Republikës ka pasur dhe ka suksese në ruajtjen e personaliteteve dhe organizimin e mjaft takimeve të rëndësishme ndërkombëtare. Më 16 tetor do kemi Samitin e Procesit të Berlinit, një aktivitet i rëndësishëm ku mbarëvajtjen e tij, përgjegjësinë më të madhe e ka Garda e Republikës.

Ne do vazhdojmë të rrisim mbështetjen për Gardën, qoftë në infrastrukturë, qoftë në teknologji”, përfundoi Balla në fjalën e tij.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›