E Martë, 3 Nëntor 2026

Basha takon drejtuesit e Qarkut Shkodër: Do kërkojmë hetim të thelluar parlamentar të investitorëve strategjikë

Kryetari i zgjedhur i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vijon turin e takimeve me drejtuesit e politik të kësaj force politike, duke u ndalur në Shkodër. Në takimin me drejtuesit e këtij qarku, kreu i zgjedhur demokrat deklaroi se lufta kundër korrupsionit do te jetë një prej prioriteteve të tij, duke u ndalur kryesisht te ligji për investitorët strategjikë, që sikurse theksoi ai, është përdorur për të shpërblyer miqtë e kryeministrit, me pasuritë publike.

“Në Shkodër me drejtuesit e këtij Qarku, për riorganizimin dhe forcimin e çdo dege, të vetëdijshëm për vlerat dhe standartet që na bashkojnë për të ndërtuar alternativën më të mirë të Partisë Demokratike për shqiptarët.

Për këtë qëllim, lufta kundër korrupsionit është sot një nga prioritetet tona. Një rast i tillë është ligji për investitorët strategjikë, i cili është përdorur për të shpërblyer miqtë e kryeministrit me pasuritë tona publike”, tha Basha teksa bëri me dije se do të kërkojë hetim të thelluar parlamentar të imnvestitorëve strategjikë.

Basha paralajmëroi se askush nuk do të jetë mbi ligjin.

“Ne do kërkojmë një hetim të thelluar parlamentar të investitorëve strategjikë, atyre që përfitojnë dhe bashkëndajnë me qeveritarët e korruptuar pasuritë e këtij vendi, ndërsa shqiptarët mbeten ndër popujt më të varfër dhe më të keqpaguar. Askush nuk do të jetë mbi ligjin”, theksoi ai.

Para Shkodrës, Basha u takua me drejtuesit e Qarkut të Durrësit ku premtoi një vizion të ri jo vetëm në ndërtimin e partisë, por edhe në marrëdhëniet me qytetarët shqiptarë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›