Balla në Komisionin për Çështjet Europiane: Problem unifikimi i identifikimit të qytetarëve, asnjë rrjedhje të dhënash nga TIMS

Ministri i Brendshëm Taulant Balla në fjalën e tij në Komisionin për Çështjet Europiane mbi nivelin e zbatimit te Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes me Karta Identiteti në Ballkanin Perëndimor, u shpreh se kjo lëvizje e lehtësuar krijon mundësi për një rajon më të bashkuar.
Balla deklaroi se nga kjo marrëveshje nuk kanë përfituese vetëm vendet e Ballkanit Perëndimoir, por edhe qytetarët. Ai theksoi se kjo marrëveshje duhet bashkëshoqëruar me lehtësimin e kontrolleve në kalimin kufitar, ndërsa konsideroi si problematike unifikimin e identifikimit të udhëtarëve.
“Marrëveshja ka hyrë në fuqi në qershor 2023 ndërkohë që vendi i fundit që ka firmosur dhe ka ratifikuar ka qenë Serbia, e cila përmes shkresës së 31 korrikut 2023 ka njoftuar adoptimin e kësaj marrëveshje dhe po ashtu dua të them se në Shqipëri total hyrje-dalje 8 milionë e 501 mijë shtetas, ku përveç shtetasve shqiptarë që kanë përfituar nga kjo marrëveshje, bien në sy shtetasit kosovarë si përfituesit më të mëdhenj, me hyrje në Shqipëri 2.26 milionë; shtetasit e Malit Të Zi 250 mijë hyrje; Maqedonia e Veriut 353 mijë hyrje; pastaj boshnjakët dhe më pas shtetasit serbë.
Kjo është një marrëveshje që duhet bashkëshoqëruar dhe me një element tjetër thelbësor, bëhet fjalë për atë që lidhet me lehtësinë e kontrollit në kalimin kufitar.
Një prej problematikave që haset në pikat e kalimit kufitar është unifikimi i identifikimit të udhëtarëve. Personave që kalojnë pikën e kalimit kufitar.
Përsa i përket këitj dimensioni të rëndësishëm të procesit të Berlinit për lëvizjen e lirë jemi në fazën që mund të themi që kjo është arritur dhe nevojitet konsolidim i zbatimit të detyrimeve lidhet me luftën kundër formave të ndryshme të trafikimit”, tha Balla.
Më tej, ndalur te sistemi TIMS, ministri garantoi se nuk ka patur asnjë rrjedhje të të dhënave.
Balla theksoi se të dhënat e qytetarëve në sistemin TIMS janë 100% të sigurta.
“Një çështje që më shumë është abuzuar në publik sesa ka të vërteta shqetësuese, lidhur me pretendime për rrjedhje të informacionit të sistemit TIMS në Republikën e Shqipërisë, dua të garantoj çdo qytetar se të dhënat e çdo qytetari në sistemin TIMS janë 100% të mbrojtura. Nuk ka asnjë të dhënë që të ketë rrjedhur nga ky sistem i fortifikuar, kjo falë edhe mbështetjes së partnerëve, ku veçoj atë të SHBA.
Dua të them që sistemi ynë është sulmuar si pjesë e një sulmi total gjatë verës së vitit të kaluar pas sulmit kibernetik ndaj Shqipërisë. Por ju garantoj se sistemi është 100% funksional. Pretendimet për një çështje të operimit të brendshëm që lidhet me procedura të funksionimit të brendshëm dhe me një back-up të brendshëm, nuk ka shqetësim për rrjedhje të dhënash. Ministri i Brendshëm është informuar në kohë reale nga vetë personat që pretendonin për këtë problematikë dhe që nga ai moment i kam kërkuar drejtorëve të përgjithshëm të Policisë dhe atij të AMP, të dy kanë iniciuar hetimet e tyre dhe u kam kërkuar përfshirjen e menjëhershme të SPAK, por ka qenë rekomandim nga ana e tyre që kjo çështje të ndiqet nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e cila ka regjistruar një procedim të cilën unë e mbështes plotësisht”, tha Balla.
Tabaku-Ballës: 70 drejtues të lartë të Policisë në hetim, të përfshirë te ‘Metamorfoza’
Kryetarja e Komisionit të Çështjeve Europiane, Jorida Tabaku i bëri thirrje ministrit të Brendshëm, Taulant Balla, që të mbrohen të dhënat personale të qytetarëve.
“Unë, i bëj thirrje qeverisë, një thirrje e përsëritur edhe më herët për z. Manja, që lidhet me implemenitmin e GDPR (Regullat e reja të privatësisë ) nga ana e qeverisë shqiptare në mbrojtje të të dhënave personale të qytetarëve. Kjo do t’i detyrojë të gjitë institucionet shqiptare që të kenë një protokoll të ri, e nuk e kam fjalën vetëm për TIMS, por edhe me të dhënat e publikuara gjatë vitit të zgjedhjeve që mbeten me shqetësim”, thekson Tabaku.
Duke i’u drejtuar ministrit Balla, teksa i pranishëm për të raportuar në komision, Tabaku theksoi se ministri duhet të ishte 10 herë më i shqetësuar se opozita, për faktin se një pjesë e efektivëve kanë pasur akses në ‘EncroChat’ dhe ‘Sky dhe janë përfshirë me grupet kriminale.
“Dua t’i rikthehem gjetjeve të dosjes Metamorfmoza dhe pastrimit të Policisë së Shtetit. Ku ju thatë që ka një hetim dhe SPAK për këtë çështje. Z. Ministër ju duhet të keni qenë dhjetë herë më i shqetësuar se sa unë. Fakti që janë në hetim 70 drejtues të lartë të policisë siç përmend media. Ky hetim për lidhje kriminale është një njollë shumë e rëndë për policinë e shtetit, uroj që institucioni juaj të marrë masa përpara hetimit të SPAK”, tha Tabaku
/rtsh.al/