E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla nga selia e OKB: Koha e propagandës dhe e baltës politike nuk mund ta ndalë rrugën tonë europiane

TIRANË, 25 shtator/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se koha e propagandës dhe e baltës politike nuk mund ta ndalë rrugën europiane të Shqipërisë.

Balla publikoi një fotografi me Kryeministrin Edi Rama nga selia e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork, duke shoqëruar postimin me një mesazh politik mbi arritjet e Shqipërisë në vitet e fundit.

Sipas Ballës, nën drejtimin e kryeministrit Rama, Shqipëria është ngjitur “në majën më të lartë të historisë së shtetit shqiptar”.

Balla theksoi se vendi ka pësuar transformime të rëndësishme në forcimin e institucioneve, shtetit të së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit.

“Transformimi i institucioneve, forcimi i shtetit të së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit janë procese që kanë fituar vëmendje dhe vlerësim të shtuar nga partnerët tanë strategjikë, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara”, shkruan Balla.

Në reagimin e tij, kreu i grupit socialist ka komentuar edhe zhvillimet në politikën e brendshme, duke deklaruar se lufta kundër korrupsionit nuk zhvillohet përmes retorikës politike, por përmes institucioneve dhe mekanizmave që garantojnë transparencë, përgjegjshmëri dhe drejtësi.

Balla thekson se, pavarësisht debateve politike, rruga europiane e Shqipërisë ka hyrë tashmë në një fazë të re dhe se procesi i integrimit nuk mund të ndalet nga ajo që ai e cilëson si “propagandë dhe baltë politike”.

“Përballë këtij realiteti të ri, vazhdojnë zhurma politike e mediatike dhe rikthehen shpresat e humbura të humbësve kronikë. Por lufta kundër korrupsionit nuk bëhet me retorikë, sharje apo vezë, por përmes institucioneve dhe një sistemi që po ndërtohet pikërisht për të garantuar më shumë transparencë, përgjegjshmëri dhe drejtësi. Ku seicili ka përgjegjësinë e tij civile, penale, morale. Kaq! Koha e propagandës dhe e baltës politike nuk mund të ndalë rrugën tonë Europiane që tashmë ka hyrë në një fazë të re”, shtoi ai.

/m.m//r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›