E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla takim me Hofreiter: Mirënjohje Gjermanisë për mbështetjen në rrugëtimin europian të Shqipërisë

TIRANË, 29 shtator/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla priti sot në mjediset e Kuvendit kryetarin e Komitetit për Çështjet e Bashkimit Europian në Bundestagun gjerman, Anton Hofreiter.

Në qendër të takimit ishte ecuria e procesit të integrimit europian të Shqipërisë, avancimi i negociatave për anëtarësim dhe bashkëpunimi i ngushtë me Gjermaninë në mbështetje të këtij procesi.

Balla vlerësoi rolin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Bundestagut dhe Qeverisë Federale të Gjermanisë ndaj Shqipërisë, duke nënvizuar rëndësinë e këtij partneriteti në rrugëtimin e vendit drejt Bashkimit Europian.

“Mirënjohje Bundestagut dhe Qeverisë Federale për mbështetjen e vazhdueshme në rrugëtimin europian të Shqipërisë. Ecim përpara drejt përmbylljes së negociatave brenda vitit 2027”, u shpreh Balla.

Gjatë takimit u diskutua gjithashtu mbi vijimin e reformave të lidhura me procesin e integrimit, forcimin e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe rëndësinë e mbështetjes së mëtejshme të partnerëve europianë për avancimin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE.

Shqipëria mbetet e angazhuar në përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga procesi i negociatave, me synimin për të avancuar në mënyrë të qëndrueshme drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

/m.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›