E Diel, 1 Nëntor 2026

Demo takon ambasadorin italian: Forcim i partneritetit strategjik

TIRANË, 29 shtator /ATSH/ Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo zhvilloi sot një takim me ambasadorin e Italisë, Marco Alberti, ku në fokus ishte forcimi i mëtejshëm i partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Italisë në fushën e sigurisë.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Demo theksoi se bashkëpunimi mes dy vendeve mbështetet në një kuadër të konsoliduar marrëveshjesh dhe protokollesh dypalëshe në fushën e sigurisë, migracionit dhe menaxhimit të kufirit.

“Në qendër të tij janë hetimet dhe operacionet e përbashkëta kundër krimit të rëndë e të organizuar, trafikimit të narkotikëve dhe qenieve njerëzore, si dhe parandalimi i veprimtarive kriminale ndërkufitare”, theksoi Demo.

Demo vlerësoi gjithashtu mbështetjen dhe ekspertizën italiane në forcimin e kapaciteteve hetimore dhe ndërinstitucionale, zhvillimin profesional të agjencive ligjzbatuese dhe përmirësimin e mjeteve operative.

“Kjo punë e përbashkët forcon sigurinë e qytetarëve dhe na ndihmon të përmbushim angazhimet e Shqipërisë në kuadër të Kapitullit 24 të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, tha ai.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›