Balla takim me bashkatdhetarë në Padova: Shqipëria nuk është më “delja e zezë” e Europës

TIRANË, 23 shkurt/ATSH/ Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, u ndal sot në Padova (Itali), ku u tha bashkatdhetarëve se sa shumë ka ndryshuar Shqipëria gjatë qeverisjes socialiste.
“Shqipëria nuk është më “delja e zezë” e Europës, kohë kur kryeministrin e Shqipërisë nuk e priste askush në selitë e qeverive të Europës, kohë kur në tryezat ndërkombëtare nuk na qasnin, ose kur na qasnin talleshin me Boratin. Sot Tirana nuk është vetëm kryeqyteti i Shqipërisë, por është kryeqyteti i Ballkanit. Një qendër rëndese, burim paqeje, stabiliteti dhe pikë referimi. Shqipëria nuk është më “delja e zezë” e Europës, kur qeveria e vendit të vriste në bulevard, kur shqiptarët protestonin kundër korrupsionit”, tha ai.
Sipas Ballës, sot Shqipëria është modeli i luftës kundër korrupsionit për vendet e tjera të rajonit. Sot, theksoi ai, Shqipëria është një destinacion i sigurt turistik, por që duhet të shtojë kapacitetet akomoduese. Ndaj, Balla u tha bashkatdhetarëve në Padova se ata duhet të kthehen dhe të investojnë në shtëpitë e tyre pasi “Paketa e Maleve”, që miratohet së shpejti në Kuvend, do t’ua lehtësojë procedurat.
“Shqipëria ka nevojë sot që të rrisim kapacitetet akomoduese. Ato shtëpitë që keni bërë me paratë e fituara këtu, t’i transformoni në agroturizme. Sot dua t’ju jap lajmin e mirë se Kuvendi do të votojë në ditët në vijim, edhe pse opozita është kundër, por ne do ta votojmë “Paketën e Maleve”. Kemi edhe kodrat brenda. Garantojmë se secilin prej jush qeveria do ta mbështesë dhe vetë komuna dhe bashkia të merren me gjithë letrat që ju duhen për ta transformuar pronën në biznes që do ju sjellë të ardhura”, vuri në dukje ai.
Balla renditi arsyet pse diaspora duhet t’ia japë votën Partisë Socialiste për t’i siguruar mbi të gjitha mandatin që do ta çojë vendin në BE.
“Parlamenti italian në ditët e para të marsit do të votojë marrëveshjen për njohjen e dyfishtë të pensioneve, nga e cila përfitojnë 500 mijë shqiptarë, sapo ta miratojë dhe Dhoma e Deputetëve”, informoi ai.
Balla u shpreh se kjo është një arritje e madhe, falë negociatave që janë bërë me qeverinë italiane dhe bashkëpunimit të të gjitha partive politike.
Balla njoftoi se qeveria do të fillojë shumë shpejt pjesën e dytë të programit “Mësues për Italinë”, në Padova e kudo ku jetojnë bashkatdhetarët tanë.
Balla bëri thirrje që të vazhdojë regjistrimi në kqz.gov.al.
1 nga 4/r.e/