E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ballanca: Avokati i Popullit nuk mbështet ndërtimet pa leje. Asnjë ankesë nga qytetarët

Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, ka bërë me dije se institucioni që ajo drejton ka nisur një monitorim paraprak të situatës në Theth, ku 40 objekte pa leje ndërtimi janë prishur që pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama për lirimin e hapësirave publike.

Në një deklaratë për medie, Ballanca u shpreh se ende nuk kanë marrë asnjë ankesë nga qytetarët për të nisur një hetim, ndonëse vetë institucioni do të dërgojë një ekip në vendngjarje për verifikimin e situatës.

Ballanca sqaroi se hetimi nga ana e Avokatit të Popullit bëhet në rastin e shkeljes së të drejtave të njeriut, ndërsa shtoi se në rastin e Thethit, duhet të jenë qytetarët ata të cilët duhet të depozitojnë pranë institucionit, një kërkesë për nisjen e hetimeve.

“Avokati i popullit duhet të bëjë një verifikim të plotë për qëndrimin e organeve përkatëse dhe problematikat e qytetarëve. Nëse verifikojmë sipas ligjit se përbën shkelje të të drejtave të njeriut, nisim një rast me iniciativë, por në rastin konkret duhet që qytetarët të na japim të drejtë të nisim rastin. Në Theth nuk kemi asnjë ankesë. Qytetarët duhet të bëjnë ankesë. Ne kryesisht bëjmë hetime e monitorime. Ekipi ynë duhet të shkojë në terren, nuk kemi shkuar ende në terren”, deklaroi Ballanca.

Kjo e fundit theksoi se, pas hetimit, institucioni i Avokatit të Popullit do të dalë me një raport.

IKMT ka nisur një aksion në Theth për prishjen e ndërtimeve pa leje, ku deri më tani janë shembur 40 objekte të tilla. Shembja e ndërtesave është kundërshtuar nga banorët e zonës, të cilët pretendojnë se vendimi për prishjen e godinave, është i padrejtë.

/tsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›