E Diel, 1 Nëntor 2026

Balliu: Siguria publike është shndërruar në pasiguri kronike

TIRANË, 9 gusht/ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu reagoi sot pas ngjarjeve të rënda kriminale të regjistruara gjatë ditës së shtunë në Korçë, Fier dhe Durrës, duke theksuar se “dje Shqipëria u zgjua dhe fjeti përsëri me lajme seriale të krimit”.

Në një deklaratë për shtyp Balliu tha se “vrasja e një 20-vjecari në mes të qytetit të Korçës, përleshje me plagosje në burgun e Fierit dhe shpërthim me eksploziv në Durrës. Tri ngjarje të rënda, në të njëjtën ditë, që tregojnë një realitet të frikshëm: siguria publike në Shqipëri është dorëzuar dhe shndërruar në pasiguri kronike”.

“Kur krimi vret në mes të qytetit, kur ka dhunë brenda burgjeve dhe kur eksplozivët shpërthejnë në qytetet tona, problemi nuk është vetëm krimineli. Problemi është një shtet që nuk e parandalon, nuk e godet dhe nuk e ndëshkon krimin”, tha Balliu.

Balliu u shpreh se “rendi publik nuk mund të jetë peng i interesave politike dhe i lidhjeve me krimin. Shqipëria ka nevojë për një shtet që lufton krimin, jo për një pushtet që bashkëjeton me të”.

“Ata mijëra qytetarë që protestojnë, prej 70 ditësh, kanë dalë ndër të tjera, edhe për rendin dhe sigurinë e munguar”, tha Balliu.

/k.s/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›