Balliu takon protestuesit e arrestuar: Aktet kriminale të policisë do të marrin përgjigjen e merituar

TIRANË, 3 korrik /ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, takoi sot në ambientet e Komisariatit numër 3 në Tiranë, protestuesit e arrestuar nga policia, gjatë protestës së 2 korrikut tek parlamenti.
Në një deklaratë për mediet, Balliu u shpreh se, protestuesit ishin të motivuar që të mos ndalen në misionin e tyre, ndërsa deklaroi se, aktet kriminale të policisë do të marrin përgjigjen e merituar.
“Sot pata mundësinë të takoj qytetarët që u arrestuan padrejtësisht. Ata ishin më të motivuar se kurrë dhe shumë falënderues ndaj të gjithë shqiptarëve, veçanërisht ndaj miqve të tyre, të cilët qëndruan pranë tyre përballë dhomave të paraburgimit deri në orët e vona të natës.
“Ndërsa aktet kriminale të policisë së pushtetit do të marrin përgjigjen e merituar, Partia Demokratike do ta thërrasë drejtorin e Policisë që të japë llogari. Është e turpshme të akuzosh këta qytetarë për dhunë, kur ata, edhe kur ishin 200 mijë protestues, nuk kryen asnjë akt dhune. Është turp që sot në burg janë këta heronj, ndërsa Parlamenti dhe institucionet e shtetit janë uzurpuar nga hajdutët e narkopushtetit. Por këta qëndrestarë ishin të qartë se nuk do të ndalen. Turpi do t’i mbulojë të gjithë ata që heshtin përballë kësaj padrejtësie”, tha Balliu.
Protesta para Kuvendit një ditë më parë përshkallëzoi në tensione mes protestuesve dhe forcave të rendit, me incidente të shumta gjatë gjithë ditës, përfshirë bllokimin dhe rrethimin e hyrjeve të Kuvendit, duke mos lejuar daljen e deputetëve dhe ministrave pas seancës plenare.
Sipas të dhënave, si pasojë e përplasjeve 15 efektivë dhe 4 protestues mbetën të plagosur dhe morën ndihmë mjekësore në spital.
/m.q/a.f/