“Ballkani i hapur”, Rama: I gjithë fokusi tek njerëzit!

Kryeministri shqiptar Edi Rama gjatë konferencës për shtyp në Beograd pas samitit “Ballkani i Hapur” tha se në këtë takim të radhës u fol për thelbin e nismës që është fokusi tek njerëzit.
“I gjithë fokusi ka qenë tek njerëzit, tek kompanitë, fermerët, distributorët, punëtorët, akademikët, studentët që janë dhe përfituesit real të Ballkanit të Hapur dhe që secili në mënyrën e vetë vuajnë kufijtë, pritjet dhe barrën e rëndë të burokracisë të agjencive, kontrolleve, inspektimeve e kështu me radhë” tha zoti Rama.
Kryeministri shqiptar u shpreh se “Më vjen mirë që jemi fokusuar aty ku është thelbi i kësaj nisme, si të zgjerojmë ekonomitë tona, tregjet tona që mbeten tregje të vogla në vetvete, po që nëse integrohen me njëra tjetrën kthehen në një treg të rëndësishëm jo vetëm për aktorët tanë të tregut po dhe për investimet e huaja direkte në këtë zonë”.
Zoti Rama vlerësoi se “Gjithmonë e më tepër po del në pah e kjo shihet në Serbi e në të gjithë vendet e tjera, që kjo ka një kufi që lidhet me hapësirën e shfrytëzimit të tregut”. “Që të përfitojmë më shumë invsetime të huaja direkt, që sjelli shumë më tepër vlerë të shtuar duhet të ofrojmë hapësirë më të gjerë” tha kryeministri shqiptar Edi Rama.
Ai zbuloi se janë takuar me Këshillin e Atlantikut, të ardhur enkas nga Uashingtoni, në lidhje me një studim që do të prezantohet në Tiranë. “Kemi rënë dakord për një qëndrim të përbashkët adresuar BE-së duke e kuptuar situatën fare mirë me kuotimin absurd për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, por duke nënvizuar se ne nuk kemi asnjë lëkundje. Kemi bindjen që BE ndërkohë që është i zhytur në dilemma, mund të konsiderojë për të ardhur më pranë rajonit” tha zoti Rama në Beograd.