E Martë, 3 Nëntor 2026

Ballkani përfshihet nga shirat

Reshje të forta shiu kanë përshirë Ballkanin. 

Serbia është goditur këtë të shtunë nga një stuhi e fuqishme shiu. Mediat atje shkruajnë se era e fortë që ka përfshirë Beogradin ashtu si disa javë më parë ka rrëzuar pemë të shumta dhe ka sjellë rënie të ndjeshme temperaturash. 

Instituti Hidrometeorologjik ka paralajmëruar se në të gjithë shtetin pritet ndryshim i ndjeshëm i motit, ndërsa gjatë orëve të para të së dielës pritet një mot më ashpër në formë të reshjeve të dendura, breshër dhe erëra të furishme. 

Reshje të fuqishme shiu kanë prekur edhe Kroacinë.  Autoritetet kanë lëshuar alarm të kuq në rajonet e Gospit dhe Rijekës, ndërsa alarm portokalli është lëshua për kryeqytetin e vendit Zagrebin dhe qytetin e Splitit. Meterologët kanë paralajmëruar për përkeqësim të motit dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm. 

Ndërkohë në Slloveni, kryeministri Robert Golob tha se stuhia që ka goditur vendin e tij prej së premtes është fatkeqësia më e rëndë natyrore në historinë e këtij shteti. Stuhia preku dy të tretat e vendit dhe se dëmi ndoshta do të kalojë 500 milionë euro. Megjithatë, Golob tha se shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme për momentin nuk është e nevojshme. Sipas tij, Sllovenia ka një nga sistemet më të mira të mbrojtjes në Evropë dhe po funksionon edhe sistemi i mbrojtjes civile. Në Slloveni deri më tani tre persona kanë humbur jetën nga vërshimet e ujit. 

Gazetar Artur Mata

/ rtsh.al /

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›