E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ballkani, udhëtim përmes fotografive

02/08/2009  Art pa kufij…

Në mes të një udhëtimi 9-mujor, në të cilin sheh çdo pjesë të Ballkanit, artistja Carina Icking ekspozon fotografitë e saj në vendin tonë nga 2 gushti deri më 31 shtator, me nismën dhe përkrahjen e shoqatës kulturore shqiptaro-gjermane “GAP FREE”

Traditat dhe mënyra e jetesës së njerëzve të Ballkanit janë ndryshe nga ato të vendit të saj. Një “grumbull” popujsh që kanë të përbashkëta dhimbje, shqetësime, probleme, por edhe ëndrra e një të shkuar tepër të ngjashme. Kur, e ftuar nga banorë të shteteve të Ballkanit ndërmori një udhëtim në këtë rajon, artistja gjermane Carina Icking u impresionua nga çfarë preku dhe pa.

Jetën e tyre të përditshme dhe pjesën e mbartur nga e shkuara, të përmbledhur në “traditë”, ajo e bëri objektivin kryesor për projektin e saj.

Tani në një ekspozitë në Tiranë ajo prezanton pjesën e parë të fotove ku shpreh përshtypjet e veta nga Ballkani e natyrisht edhe nga Shqipëria.

Në mes të një udhëtimi 9 mujor, në të cilin sheh çdo pjesë të Ballkanit, Icking ekspozon fotografitë e saj në vendin tonë nga 2 gushti deri më 31 shtator, me nismën dhe përkrahjen e shoqatës kulturore shqiptaro-gjermane “GAP FREE” (German-Albanian partnership for realizing effective exchange).

Shoqata synon të mbështesë dhe përkrahë dialogun intelektual ndërmjet Gjermanisë dhe Shqipërisë dhe ekspozita e Icking konsiderohet si një shkëmbim reciprok që jo vetëm bashkon dy kultura, por edhe i zhvillon ato.

Carina Icking eksploron Ballkanin përgjatë udhëtimit të saj dhe regjistron skena, të cilat nuk lënë përshtypje tek çdo turist. Kush janë këta njerëz, cilat janë problemet dhe shqetësimet e tyre, çfarë ëndrrash kanë?! Këto janë pyetjet kryesore që ajo ngre dhe arrin të pasqyrojë njerëzit në momentet kur kanë lënë mbrapa çdo kërcënim apo frikë dhe natyrshëm lejojnë aparatin fotografik dhe kamerën të hyjë në jetën e tyre të përditshme. Siç vëren vetë fotografja gjermane, fytyrat shumë shprehëse të njerëzve nga Ballkani japin mundësinë të thellosh njohuritë për jetën e vështirë, e cila është ulur këmbëkryq përmes teknologjisë moderne për t’u bërë kështu më e dukshme për të gjithë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›