E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në dy muaj 257 urdhra për dënimet alternative

02/08/2009  Dje u miratuar rregullorja e re për shërbimin e provës

Mbrohen interesat publike dhe parandalohen kryerja e krimeve

TIRANË – Miratohet rregullorja për Shërbimin e Provës. Ndërsa prezantohet edhe puna dymujore e këtij shërbimi si një nga institucionet më të reja në varësi të Ministrisë së Drejtësisë. Takimi u zhvillua dje në Ministrinë e Drejtësisë ku të pranishëm ishin ministri i Punës dhe i Çështjeve Sociale, Viktor Gumi, zëvendësministrja e Ministrisë së Drejtësisë, Paulina Hoti, zëvendësministri i Ministrisë së Drejtësisë, Ermanl Dobi, Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit të Provës, Arben Sefgjini, Drejtori i përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra, përfaqësues të EURALIUS, OSBE, UNICEF, OPDAT si partnerët vendas që kanë asistuar në Ministrinë e Drejtësisë. Nga statistikat, të cilat u shfaqën dje për herë të parë nga ministri i Drejtësisë, Enkeledj Alibeaj, u bë e ditur se brenda dy muajve që nga fillimi i punës në këtë shërbim janë depozituar 257 urdhra për ekzekutimin e vendimeve penale për dënimet alternative. Në fjalën e tij Alibeaj tha se: “Një ndër aspektet më të prekshme të Reformës në Drejtësi në rrafshin ekzekutiv përbën drejtësia penale. Prezantimi i Shërbimit të Provës është padyshim një sukses në këtë reformë sepse për këtë institut Ministria e Drejtësisë ka kënaqësinë të deklarojë kryerjen e procesit të plotë brenda një periudhe të shkurtër kohe”. Shërbimi i Provës është organ shtetëror që ndihmon dhe mbikëqyr zbatimin e dënimeve alternative, paraqet informacione dhe raporte para prokurorit ose gjykatës si dhe ndihmon personin e dënuar në kapërcimin e vështirësive për riintegrim social. Misioni i tij është të mbrojë interesat publike, të parandalojë kryerjen e veprave penale, të asistoj personin e dënuar për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga dënimi alternativ si dhe të asistojë personin e dënuar për kapërcimin e vështirësive për riintegrimin e tij shoqëror. Shërbimi i Provës në bashkëpunim dhe me gjykatën e Prokurorinë janë duke evidentuar rastet e mundshme për dënimet alternative duke zbutur ende mbipopullimin në burgje.

Brenda një kohe të shkurtër ky shërbim ka ndikuar në uljen e mbipopullimit në burgje. 257 urdhra për dënime alternative në dy muaj.

Aktualisht në sistemin e burgjeve ndodhen rreth 5000 persona të burgosur të vendosur në 20 institucione burgimi të shpërndara në të gjithë vendin.

Shërbimi i Provës sot funksionon në zyrat vendore pranë gjykatave të rretheve gjyqësore, Tiranë, Shkodër, Durrës, Fier.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›