E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Ballkaniada e rrjetës, Shqipëria në gjysmëfinale

Pas Evropianit të Nën-19-vjeçareve, që u mbajt para 4 vjetësh në Tiranë dhe në Durrës, dhe Evropianit të Nën-17-vjeçareve, që u mbajt vitin e shkuar në Tiranë, kryeqyteti shqiptar është mikpritës gjatë kësaj jave një tjetër veprimtari madhore ndërkombëtare. Bëhet fjalë për Kampionatin Ballkanik të Volejbollit për Meshkuj, për grupmoshën e Nën-20-vjeçarëve, që po zhvillohet në Tiranë, duke nisur nga e marta, deri në shtunën. Ndeshjet po luhen të gjitha në Sallë Sportive të Lojërave me Dorë “Feti Borova” të Parkut Olimpik të Tiranës dhe në këtë Kampionat Ballkanik po merr pjesë Shqipëria, Kosova, Turqia, Serbia, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut.

Shorti e ka vendosur kombëtaren kuqezi të kësaj grupmoshe, që do të drejtohet nga trajneri Ben Sako dhe ndihmësi Erin Sejati, në grupin A, aty ku përballë ka Kosovën dhe Turqinë, ndërsa në grupin B ndodhen Bullgaria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Dhe Shqipëria e ka zhvilluar të martën në mbrëmje derbin me Kosovën, duke e fituar atë në 3 sete. Pavarsisht një nisjeje me luhatje, kuqezinjtë kanë vijuar ta fitojnë setin e parë 25-22, ndërsa dy setet e tjera kanë parë një paraqitje bindëse të skuadrës së Sakos, duke i fituar ato me të njëjtin rezultat, 25-15.

Brendon Marina ishte lojtari më spikatur për Shqipërinë, me 16 pikë të realizuara. Në takimin tjetër të grupit, të luajtur të mërkurën, Turqia ka mposhtur në 3 sete Kosovën dhe kuqezinjtë ndeshen të enjten në mbrëmje me turqit në duelin që do të vendosë fatin e kreut të renditjes së grupit A, teksa të dy përfaqësueset janë kualifikuar për në gjysmëfinale.

Në grupin tjetër, Bullgaria mundi në 3 sete të martën Maqedoninë e Veriut dhe po kështu edhe Serbinë të mërkurën, duke siguruar kështu vendin e parë të renditjes. Ndërkaq, serbët dhe maqedonasit përballen të enjten me njëri-tjetrin për biletën e dytë që të çon në gjysmëfinale.

Të premten dhe të shtunën luhen gjysmëfinalet dhe finalet e këtij turneu rajonal, që rikthehet në kryeqytetin shqiptar pas 3 vitesh, teksa në 2019-ën u mbajt në Tiranën Kampionati Ballkanik i kësaj grupmoshe, ku Shqipëria mori medaljen e bronztë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›