Balluku: 1600 punonjës dhe 186 mjete të OSHEE-së ndodhen në terren

TIRANË, 10 janar /ATSH/ Reshjet e dendura të dëborës dhe temperaturat e ulëta kanë sjellë vështirësi në veri dhe verilindje të vendit, por furnizimi me energji elektrike po garantohet falë angazhimit të vazhdueshëm të ekipeve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE).
Zëvendëskryeministrja dhe njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, bëri të ditur se OSHEE ka angazhuar 1600 punonjës dhe 186 mjete në terren, të cilët po punojnë në kushte të vështira atmosferike për përballimin e problematikave të shkaktuara nga moti dhe për riparimin e rrjetit energjetik.
Sipas Ballukut, ekipet janë të shpërndara në të gjitha zonat e prekura, duke ndërhyrë në kohë reale për të shmangur ndërprerjet dhe për të rikthyer sa më shpejt furnizimin me energji elektrike aty ku janë evidentuar probleme.
“Pavarësisht kushteve të vështira të motit, strukturat e OSHEE-së ndodhen në gatishmëri të plotë për të garantuar furnizim pa ndërprerje për abonentët kudo në vend”, u shpreh Balluku.
Ajo theksoi se situata po monitorohet në mënyrë të pandërprerë dhe se ka koordinim të vazhdueshëm mes strukturave qendrore dhe atyre në terren, me qëllim reagimin e menjëhershëm ndaj çdo defekti të mundshëm.
MIE u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes në kushtet e motit të keq dhe të raportojnë çdo problematikë të konstatuar në rrjetin energjetik, ndërsa ekipet e OSHEE-së vijojnë punën për të siguruar furnizim normal me energji elektrike në të gjithë vendin.
/e.xh/r.e/