Balluku: Emiratet e Bashkuara, Shqipëria dhe Italia marrëveshje më 15 janar për linjën e transmetimit nënujor

TIRANË, 8 janar /ATSH/ Shqipëria synon të bëhet kontributore në linjën e trasmetimit europian.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi se sot në Shqipëri po ndërmerren një sërë projektesh për forcimin e linjës së transmetimit të Ballkanit dhe më tej.
“Në datën 15 do të kemi një marrëveshje trelaterale midis Emirateve të Bashkuara, Italisë dhe Shqipërisë për linjën e transmetimit nënujor, atëherë Shqipëria do të jetë kontributore edhe në linjat e transmetimit europian”, tha ajo.
“Ne po punojmë për të rritur kapacitetet e shpërndarjes në vendin tonë, duke nisur me një nga linjat më të rëndësishme, siç është ajo e interkonjeksionit 400 kV në Bitola, që lidh Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut. Nga ana tjetër, jemi në fazën e studimit të fizibilitetit për trefishimin e kapacitetit transmetues midis Greqisë dhe Shqipërisë, nga 400 kV për ta çuar në 1200 kV. Ndërsa jemi në ndërtimin e linjës së transmetimit Elbasan – Fier 200 kV. Jemi në proces ndërtimi të linjës 110 kV Tiranë, Rrushbull dhe Unazës së Tiranës, që është 400 kV”, u shpreh Balluku.
/r.e/a.f/