E Diel, 1 Nëntor 2026

Balluku: Gati pjesa shqiptare e linjës së transmetimit të energjisë me Maqedoninë e Veriut

TIRANË, 12 janar/ATSH/ Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, vuri theksin te rëndësia strategjike e linjave të transmetimit dhe interkonjeksioneve energjetike.

Gjatë takimit për prezantimin e parkut eolik në Tropojë, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, si edhe e ngarkuara me punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy VanHorn,

Balluku tha se Shqipëria ka investuar ndjeshëm në zhvillimin e rrjetit të transmetimit, duke e lidhur tashmë sistemin energjetik me të gjithë vendet fqinje.

Ajo bëri të ditur se linja e transmetimit me Maqedoninë e Veriut është pothuajse e përfunduar nga ana shqiptare, ndërsa u shprehu besimin që edhe pala fqinje të përshpejtojë punimet, në mënyrë që të vihet sa më shpejt në funksionim dhe të garantohet vijimësia e Korridorit 8.

“Shqipëria është sot një nga vendet më të mirëlidhura në rajon për sa i përket sistemit të transmetimit, çka u jep garanci të forta investitorëve të huaj që zhvillojnë projekte eolike dhe fotovoltaike, pasi kanë të siguruar akses në tregun e lirë energjetik, jo vetëm ballkanik, por edhe europian”, deklaroi Balluku.

Ajo nënvizoi se investimet në transmetim nuk synojnë vetëm forcimin e rrjetit tokësor, por edhe krijimin e lidhjeve të reja strategjike me Europën.

Në këtë kuadër, Balluku bëri të ditur se po punohet për ndërtimin e një kabulli nënujor, i cili do të lidhë drejtpërdrejt Shqipërinë me Italinë, duke e pozicionuar vendin si një nyje të rëndësishme energjetike në rajon.

Sipas saj, këto zhvillime kanë sjellë vlerësime të larta për Shqipërinë nga organizmat dhe partnerët ndërkombëtarë.

“Sektori energjetik është gjithashtu një tregues i qartë në ecurinë drejt integrimit të vendit, duke qenë një nga sektorët më të vlerësuar nga organizmat dhe partnerët ndërkombëtarë. Shqipëria është klasifikuar ndër vendet e para në nivel botëror për qëndrueshmërinë energjetike, si edhe një nga sektorët me ecurinë më pozitive, sipas vlerësimeve të raportit të progresit të Komisionit Europian për vitin 2026”, tha Balluku.

Sektori energjetik, tha Balluku, është një nga sektorët më të vlerësuar në procesin e integrimit europian, duke u cilësuar si një nga fushat me ecurinë më pozitive në raportet e progresit të Komisionit Europian.

Balluku shtoi se investimet përfshijnë dhe studimin e teknologjive të reja, përfshirë pompat hidrike të parashikuara për kaskadën e Drinit dhe HEC-in e Moglicës. Këto zhvillime, sipas saj, pritet të rrisin kapacitetet prodhuese të vendit me rreth 1,600 MW të reja.

“Falë politikave të qarta dhe investimeve të qëndrueshme në transmetim dhe integrim tregu, Shqipëria ofron sot siguri për investitorët dhe garanci për zhvillim afatgjatë të sektorit energjetik”, u shpreh zv.kryeministrja Balluku. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›