Balluku: Marrëveshja me Italinë, furnizim më cilësor me energji për komunitetet e prekura nga tërmeti

Shqipëria dhe Italia kanë firmosur sot një marrëveshje të rëndësishme në kuadër të mbledhjes së përbashkët ndërqeveritare, e cila synon përmirësimin e rrjetit të transmetimit të energjisë elektrike në Shqipërinë e Veriut, pas dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i vitit 2019.
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi se kjo ndërhyrje do të garantojë furnizim më cilësor me energji për komunitetet e prekura, duke sjellë zhvillim, siguri dhe qëndrueshmëri.
“Marrëveshja për përmirësimin e rrjetit të transmetimit të energjisë elektrike në Shqipërinë e Veriut pas tërmetit të vitit 2019 është dëshmi e bashkëpunimit të ngushtë dhe miqësisë së qëndrueshme me qeverinë italiane dhe një tjetër hap i rëndësishëm drejt forcimit të infrastrukturës sonë energjetike”, u shpreh Balluku.
Ajo shtoi se kjo ndërhyrje do të garantojë furnizim më cilësor me energji për komunitetet që u prekën më shumë nga tërmeti, duke sjellë zhvillim, siguri dhe qëndrueshmëri.
“Faleminderit Italisë për mbështetjen dhe solidaritetin që nuk mungon kurrë,” theksoi Balluku.
Më herët, ministrja Balluku zhvilloi një takim me ministrin italian të Mjedisit dhe Energjisë, Gilberto Pichetto Fratin, ku u diskutua mbi forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në sektorin energjetik. Në fokus ishte projekti strategjik për ndërtimin e linjës nënujore që do të lidhë Shqipërinë me Italinë.
Ky projekt është pjesë e korridorit energjetik Lindje-Perëndim, që përfshin Rumaninë, Bullgarinë, Greqinë, Shqipërinë dhe Italinë, i konsideruar si një rrugë e rëndësishme për sigurinë energjetike të rajonit.
Balluku theksoi se investimi do të hapë një kapitull të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe do të kontribuojë në sigurinë dhe qëndrueshmërinë energjetike në rajon.
“Raportet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Italisë janë një bazë solide për të bërë edhe më shumë në shërbim të qytetarëve tanë”, shkroi Balluku në rrjetet sociale, duke falënderuar Italinë për mbështetjen dhe solidaritetin e vazhdueshëm.
/rtsh.al/