Balluku: Me Veliajn kemi qenë dhe jemi miq, linçim publik i pajustifikuar ndaj tij

TIRANË, 11 janar/ATSH/- Zv.kryeministrja Belinda Balluku ka deklaruar se me kreun e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj kanë qenë dhe janë miq të mirë.
Gjatë intervistës në emisionin në Top Story, Balluku u shpreh se bashkë me Veliajn vijojnë të ulen në të njëjtën tryezë pune sa herë që bëhen mbledhjet me drejtuesit e qarqeve për zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit.
E pyetur për marrëdhëniet me Veliajn dhe akuzat ndaj tij, Balluku tha se “unë me Erion Veliajn jemi miq të mirë dhe kemi qenë miq prej shumë kohësh, para se të kemi këto detyra. Unë e kuptoj që gjithmonë kërkohet që të ketë një telenovelë. Unë e kuptoj shumë mirë që ka një vëmendje dhe tendencë për telenovela nëpër lajme, por për të thënë të drejtën janë duke rrëmuar në vendin e gabuar se as unë, as Erioni nuk kemi ndonjë rezervë ndaj njeri tjetrit”.
“Unë do të doja që të ndiqeshin të gjitha shkallët e drejtësisë ashtu siç duhet. Në rast se hetohet një dosje, kjo nuk e bën personin nën hetim, fajtor. Ky është gabimi më i madh që po ndodh në këto momente, secili që ka një çështje të hapur, duhet patjetër gjithë ky mllefi publik që e vë personin te cepi dhe e trajton si një person të fajshëm. Kjo nuk duhet të ndodhë. Erioni është një figurë politike”, theksoi zv.kryeministrja duke pohuar se kanë qenë në një tryezë edhe me të gjithë drejtuesit e tjerë të qarkut dhe është duke punuar, ashtu siç ka punuar çdo ditë.
Sipas saj, ndaj Veliajt ka një linçim publik të pajustifikuar.
“Ndaj të njëjtin pozicion me kryeministrin. Po bëhet një linçim publik pa logjikë. Sa i përket impaktit, sot kam qenë në të njëjtën tryezë me Veliajn dhe gjithë drejtuesit e qarqeve, është në punë. Ne jemi në një fushatë që e konsiderojmë të filluar”.
E pyetur për hetimet nga SPAK, Balluku tha se “ne nuk bëjmë kurrë gabimin që kanë bërë paraardhësit tanë që të ndikonin në sistemin e drejtësisë. Për këtë arsye ka ardhur momenti i duhur që të ndahet puna e ndershme dhe e pastër nga abuzimet”.
Ndërsa e pyetur se kush është Nesti Angoni, zv.kryeministrja Belinnda Balluku u shpreh: “unë as e di kush është Nesti Angoni, as kam ndonjë interes ta di. Kam parë një uragan akuzash të cilat për të thënë të drejtën më kanë bërë të buzëqesh. Nuk është në interesin tim se kam punë shumë më të rëndësishme për tu marrë sesa të merrem me insinutat dhe me akuzat e medias për sa i përket kësaj çështje”./TCH/