Balluku: Në fillim të majit ulet avioni i parë në pistën e Aeroportit të Vlorës

TIRANË, 24 prill/ATSH/ Zëvendëskryeministrja njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se për pak ditë do të bëhet edhe ulja e avionit të parë në aeroportin e Vlorës.
“Në ditët e para të majit, AirAlbania do bëjë fluturimin inaugurues duke prekur pistën më të madhe në Ballkan, 3.2 kilometra dhe 22 mijë metra katrorë terminal”, deklaroi ajo gjatë një takimi në Fier ku u prezantua edhe projekti për transformimin e zonës bregdetare të Darëzezës.
Sipas Ballukut, terminali kur nisi fillimisht projekti, ishte planifikuar për vetëm 5 mijë metra katrorë dhe sot konsorciumi në VIA është duke ndërtuar 22 mijë metra.
Kjo sipas saj, pasi volumet dhe parashikimet për dekadat në vazhdim flasin për një numër të konsiderueshëm turistësh. Edhe vetë viti 2025, krahasimisht me vitin 2024 në katër muajt e parë, ka 30% rritje në numrin e vizitorëve.
“Siç e patë edhe në hartën e prezantimit, sepse ne e themi gjatë gjithë kohës që është më afër Fierit sesa Vlorës ai aeroport, por ju e patë me sytë tuaj sesa larg është nga Pishporo aty ku përfundon ajo promenada, shëtitorja e bukur prej 21 kilometrash që do të jetë gjëja e parë, besoj unë, që do të ndërtojmë”, deklaroi Balluku.
Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës (VIA) pritet të shndërrohet në një tjetër portë të madhe për të gjithë vizitorët që zgjedhin Shqipërinë për ta vizituar e për të pushuar.
Ky aeroport do të jetë porta e hyrjes në Jugun e Shqipërisë dhe porta e zhvillimit të turizmit. Ky aeroport, po jetësohet në terren për t’u shndërruar në aeroportin kryesor të vendit, i cili do të funksionojë me mbi 3 modele biznesi: aviacion civil, mirëmbajtje e avionëve dhe një kargo e mirëfilltë.
Me një sipërfaqe prej 309 hektarë, pistë 3.2 km dhe me një investim prej 104 milionë euro, porta ajrore e jugut synon t’i japë një tjetër hov zhvillimit të zonës po veçanërisht turizmit në vend.
Ai është projektuar për të akomoduar të gjitha fluturimet kudo në botë dhe ato transoqeanike.
Duke folur për projektin zhvillues të Darëzezës, Balluku tha se kjo është hera e parë që bëhet dizenjimi i kësaj zone të gjerë bregdetare me 21 kilometra shtrirje në hapësirë, duke studiuar kështu të gjithë infrastrukturën, vendosjen e nuklave të ndryshme, që kanë të bëjnë me akomodimin, rekreacionin, apo tregtimin dhe duke dhënë mundësi për adresimin e të gjithë kërkesave që mund të vijnë nga pushteti vendor, kërkesave që vijnë nga pushteti qendror për shkak të volumeve të vizitorëve që planifikohen në vitet e ardhshme.
Por nga ana tjetër, tha ajo, edhe nga vetë kërkesat e banorëve, nga kërkesat e grupeve të interesit.
“Do duhet që të dizenjojmë një mënyrë të re për sa i përket shkollave profesionale të cilat janë prioritet i qeverisë shqiptare, kanë qenë prioritet edhe në mandatin tonë të tretë dhe në mandatin tonë të katërt do të marrin një vëmendje akoma më të madhe, pasi për t’iu përgjigjur të gjitha nevojave për punësim që do lindin në atë zonë dhe në zona të tjera do të duhet që të kemi patjetër, grupe të kualifikuara, duke nisur nga shërbime, siç janë elektricistët, hidraulikët e duke vazhduar më tej me shkollat e kulinarisë, me shkollat e turizmit dhe patjetër të gjithë nuklat e tjera ekonomike, të cilat prodhohen përmes shkollave profesionale”, shtoi Balluku. /j.p/