E Martë, 3 Nëntor 2026

Balluku: Të nxisim eksplorimin e mineraleve të reja. Së shpejti inaugurojmë qendrën rajonale të Institutit Evropian të Teknologjisë dhe Inovacionit për Lëndët e Para

Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, zhvilloi sot një  tryezë diskutimi me profesorë dhe ekspertë të fushës minerare në Shqipëri.

Në fjalën e saj, Zv/Kryeministrja Balluku, theksoi se kjo tryezë i shërben dialogut mes akademikëve dhe shoqërisë civile për tu njohur me pasuritë e nëntokës shqiptare.

“Duke mos harruar sesa i rëndësishëm është minerali shqiptar, sesa e rëndësishme dhe e pasur është nëntoka shqiptare, në vëmendjen edhe të Bashkimit Evropian, duke pasur edhe të gjithë fokusin e institucioneve të cilat mundohen që të aktivizojnë zhvillimin ekonomik në zonën e Ballkanit edhe Qeveria Shqiptare ka vendosur që mineralet, nëntokën, zbulimin, eksplorimin dhe gjithçka tjetër ta vendosë në prioritetet e saj”, u shpreh Balluku.

Më pas Ministrja tha se, “për shkak të stabilitetit ekonomik, për shkak të stabilitetit politik, i cili është shumë i rëndësishëm për investitorët, për shkak të forcimit të shtetit për sa i përket Reformës në Drejtësi dhe një sërë masash që kemi marrë, mbi të gjitha transparenca, kemi arritur që të kthejmë edhe njëherë vëmendjen e investitorëve të huaj të cilët zakonisht kanë potenciale financiare më të mëdha drejt Shqipërisë”.

Duke e vlerësuar nxjerrjen e kromit në Shqipëri, si një zbulim tradicional dhe që e kërkon tregu, Balluku kërkojë nga të pranishmit që të nxitet eksplorimi i mineraleve të reja.

“Çfarë kërkojmë ne sot? Çfarë duam të nxisim sot? Sot ne duam të nxisim eksplorimin e mineraleve të reja që nuk janë të reja për ju, por janë të reja për tregun, pasi tregu ka këtë lloj kërkese sot, këtë lloj oreksi. Dhe po i referohem në këtë rast litiumit, siç i referohem shteteve fqinj që janë pranë nesh, të cilët kanë filluar ta përdorin këtë dhuratë që kanë në nëntokën e tyre, duke lidhur kontrata me kompani nga më të mëdhatë dhe duke u kthyer nesër apo pasnesër në vende ku këto kompani kanë plane dhe të ndërtojnë industritë e tyre. I referohem këtu rastit të Teslës dhe të Serbisë”.

Ky zhvillim potencial që ka të bëjë me Ballkanin, u shpreh Zv/Kryeministrja,  dhe që tashmë është identifikuar edhe nga Bashkimi Evropian, nëse i referohemi diskutimeve që janë bërë gjatë Samitit për procesin e Berlinit këtu në Tiranë, më 16 tetor.

Ndaj Balluku, kërkoi një riorganizim të thellë dhe të përgjithshëm të sektorit minerar në Shqipëri, duke parë detajet e kuadrit ligjor, duke parë të gjitha aktet rregullative dhe për më tepër dhe një mënyrë më të lehtë funksionimi, por nga ana tjetër edhe duke krijuar mundësi për investime më të mëdha dhe jo të izoluara dhe të fragmentuara si i kemi sot.

“Qeveria shqiptare ka lançuar vetëm para pak javësh krijimin e një Agjencie Inovacioni. Kjo do të jetë një agjenci inovacioni dhe ekselence, quhet për saktësi, në të cilën çdo ministri mund të ketë njësinë e saj sigurisht ato do të drejtohen nga një drejtues. Sigurisht do të kenë politika cross cutting midis sektorëve, por që nga ana tjetër ajo që ne kërkojmë të incentivojmë shumë janë njësitë kërkimore. Pra, këto nuklat e inovacionit në bashkëpunim me ju dhe me njësitë kërkimore të cilat ne i kemi akoma, por që duhen incentivuar për të dhënë më shumë produkt, ne besojmë se do të krijojmë një fuzion të suksesshëm, i cili do të fillojë dhe do ti shërbejë sektorit”, tha ajo.

Njëkohësisht Balluku ka ndarë një lajm me të pranishmit, ku sipas saj, është fakti që Instituti Evropian i Teknologjisë së Inovacionit dhe Lëndëve të Para, ka vendosur që të ngrejë këtu në Shqipëri një degë të tijën rajonale, që ne kemi zgjedhur ta vendosim në Elbasan.

“Brenda këtij viti do të kemi mundësi ta inaugurojmë dhe në Elbasan do kemi qendrën rajonale të Institutit Evropian të Teknologjisë dhe Inovacionit për Lëndët e Para, duke na dhënë të gjithëve kështu një mundësi për ta kaluar këtë dialogun që po nisim sot në një shkallë tjetër për sa i përket të gjithë organizmit, për sa i përket fondeve që Bashkimi Evropian do të vendosë në dispozicion të këtij projekti të madh për ti dhënë Shqipërisë”, theksoi Balluku.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›