Gjykata e Posaçme merr vendimin ndaj dhëndrit të Berishës, caktohet arrest me burg për Jamarbër Malltezin

Gjykata e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit ka caktuar pak minuta më parë masën e arrestit me burg për dhëndrin e Sali Berishës, Jamarbër Malltezi dhe detyrim paraqitje për bashkëpunëtorin e tij, Fatmir Bektashi.
Dhëndri i ish-kryeministrit Berisha akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash në rastin e privatizimit të ish-kompleksit të klubit sportiv “Partizani”.
Ndërkaq, në Gjykatën e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit të shkallës së parë është paraqitur edhe bashkëpunëtori i Malltezit, ndërtuesi Fatmir Bektashi, për të cilin është vendosur masa detyrim paraqitje, e njëjta masë siç është vendosur për ish-kryeministrin Berisha.
Ky i fundi akuzohet për korrupsion pasiv pasi sipas dosjes hetimore të SPAK, ish-kryeministri Berisha ka favorizuar dhëndrin e tij për të bërë të mundur privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”.
Nga ana e tij, Berisha nuk e njeh vendimin duke e quajtur antikushtues dhe për këtë arsye nuk u paraqit as në gjykatë çka detyroi që oficerët e policisë gjyqësore të mbërrijnë në shtëpinë e tij pasdite e sotme për t’i komunikuar sërish masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.
/rtsh.al/