Balluku: Zgjerimi i superstradës Tiranë-Durrës, projekt i rëndësishëm gjatë 2024-ës
Ministrja e Energjetikës dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku në fjalën e saj në seancën dëgjimore për shqyrtimin e investimeve të parashikuara dhe buxhetin e Ministrisë për vitin 2024, është ndalur te disa prej projektet që do të përfundojnë gjatë vitit të ardhshëm dhe atyre që do të marrin start.
Si një prej veprave të rëndësishme që do përmbyllet në qershor të 2024-ës, Balluku përmendi Tunelin e Llogarasë, të cilën e konsideroi si një prej gjerdanëve infrastrukturor të jugut.
“Tuneli i Llogarasë, i buxhetuar 7.2 mld lekë. Në volum jemi 70%. Vepër që na bën krenar. Është gur gëlqeror dhe është gjeologji shumë stabël dhe puna që po bëhet është për t’u përgëzuar. Në fund të qershorit të 2024 dorëzohet vepra, duke e bërë pjesë e gjerdanit infrastrukturor të jugut. Ndërtimi i kësaj vepre është mbështetur nga fondet e parashikuara. Nuk ka pasur pengesa në pagesa”, tha Balluku, e cila theksoi më tej se politikat e reja me financim të brendshëm parashikohen në vlerën 1.9 miliardë lekë.
Ajo veçoi si një prej projekteve më të rëndësishme për 2024-ën, zgjerimin e superstradës Tiranë-Durrës.
“Për politikat e reja me financim të brendshëm parashikohet në vlerën 1.9 mld lekë. Vlera e këtyre projekteve është shumë e rëndësishme sepse në 2024 do vazhdojmë me qendrën e monitorimit të trafikut në fazën e tij të dytë, zgjerimin e superstradës Tiran-Durrës faza e parë dhe e dytë, një prej projekteve më të rëndësishme gjatë 2024-ës”, theksoi ajo.
/rtsh.al/