Balluku në Athinë: Shqipëria, nga importuese në eksportuese neto energjie brenda vitit 2030
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka nxjerrë në pah rolin gjeopolitik të Shqipërisë në sigurimin energjetik të rajonit gjatë Takimit të 6-të të Partneritetit për Bashkëpunim Transatlantik në Energji (P-TEC 6). Ministrja theksoi se takimi shënon forcimin e bashkëpunimit mes Departamentit të Energjisë të SHBA-së, Bashkimit Evropian dhe Evropës Jugore, me objektiv primar miniminizimin e impaktit të gazit rus në Evropë.
Zëvendëskryeministrja Balluku, nëpërmjet një video- mesazhi, gjatë punimeve të takimit të 6-të të Partneritetit për Bashkëpunimin Transatlantik në Energji, theksoi se ky takim “shënon fillimin e një bashkëpunimi më të ngushtë mes Departamentit të Energjisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe veçanërisht vendeve të Evropës Qendrore dhe Jugore”.
Sipas saj, Sekretari i Energjisë, Chris Wright sot ka adresuar fjalën e tij me një vizion frymëzues i cili kishte në qendër sigurinë energjetike, bashkëpunimin transatlantik, por mbi të gjitha bashkërendimin e shteteve për të minimizuar impaktin e gazit rus në Evropë.
“Athina zyrtare ka nënshkruar një marrëveshje të rëndësishme gjatë P-TEC 6 për hapjen e dyerve evropiane ndaj gazit të lëngshëm amerikan, duke e kthyer rajonin në një pikë strategjike më rëndësi jetike për gjeopolitikën. Në fjalën e tij Sekretari Wright nënvizoi faktin se teknologjitë e reja, sidomos inteligjenca artificiale e aplikuar në fushën e energjetikës do të sillte shumë shpejt rezultate të jashtëzakonshme dhe zgjidhje të qëndrueshme për sektorin e energjisë në Evropë. Në fjalën e tij, kryeministri Mitsotakis i cili përshëndeti P-TEC 6 njoftoi se për herë të parë në vitin 2024 Greqia arriti të kthehet në një vend eksportues neto.”, thekson Balluku.
Vizioni 2030, nga importues në eksportues
Zëvendëskryeministrja informon se pati rastin të informoj kolegët evropianë dhe aleatët tanë strategjik, gjatë sesionit Ministerial, se Shqipëria synon brenda vitit 2030 të kthehet nga një vend importues në një vend eksportues neto, si dhe të ndajë me ta planet e rëndësishme të interkonjeksionit, ku përfshihet jo vetëm korridori VIII energjetik, por edhe korridori i quajtur Lindje-Perëndim që shtrihet mes Rumanisë, Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Italisë.
“Ndërtimi i linjës së interkonjeksionit nënujorë nga brigjet e Shqipërisë drejt Italisë është konsideruar nga të pranishmit si një investim i domosdoshëm për sigurinë energjetike të Evropës Juglindore. Angazhimi konkret i Departamentit Amerikan të Energjisë në sektorin energjetik evropian është shpresëdhënës dhe garantues i qëndrueshmërisë dhe mbi të gjitha i pavarësisë energjetike.”, thekson Balluku në video- mesazh.
Sipas saj, një tjetër prezencë e rëndësishme në P-TEC 6 në Athinë ishte Sekretari Amerikan i Punëve të Brendshme, Doug Burgum me të cilin pati kënaqësinë të prezantohet.
“Prezenca e tij tregon qartazi rolin e rëndësishëm që energjia luan në sigurinë botërore.”, theksoi Balluku.
/rtsh.al/