E Hënë, 2 Nëntor 2026

Balluku në Bruksel: Ndajmë përvojën e sulmeve kibernetike, thelbësor bashkëpunimi për sigurinë e përbashkët

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, po merr pjesë në Bruksel në edicionin e 22-të të Festivalit të Politikës dhe Ideve, të organizuar nga “Friends of Europe”. Forumi ndërkombëtar u fokusua tek siguria dhe sfidat e mbrojtjes.

Balluku ishte pjesë e një paneli të rëndësishëm, së bashku me Zëvendëskryeministrin e Ukrainës, Taras Kachka, dhe Zëvendëspresidenten Ekzekutive të Komisionit Evropian, Henna Virkkunen.

Gjatë ndërhyrjes së saj, Balluku ndau me të pranishmit përvojën e Shqipërisë në përballjen me sulmet kibernetike, duke e vendosur bashkëpunimin ndërkombëtar në qendër të strategjive të mbrojtjes.

“Ndava me të pranishmit përvojën e Shqipërisë në përballjen me sulmet kibernetike dhe theksova rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet vendeve për t’u mbrojtur nga çdo rrezik që cenon sigurinë tonë të përbashkët,” u shpreh Balluku.

Ky forum ofroi një hapësirë për shkëmbimin e ideve mbi nevojën për një strategji të unifikuar të mbrojtjes në Evropë, në një kohë me kërcënime dhe sfida të shtuara gjeopolitike dhe teknologjike. Diskutimi shërbeu për përforcimin e bashkëpunimit strategjik në fushën e sigurisë.

  • /rtsh.al/

    Më shumë nga Aktualitet

    Të gjitha ›