E Hënë, 2 Nëntor 2026

Elvis Shkambi: Pasi qëllova gjyqtarin pashë që ishte gjallë!

Pas ngjarjes së rëndë që tronditi sistemin e drejtësisë shqiptare, ku gjyqtari i Apelit Astrit Kalaja u vra brenda sallës së gjyqit, janë zbardhur detaje nga dëshmia e autorit të dyshuar, Elvis Shkambi.

Emisioni “Në Kohë Reale” ka zbardhur dëshminë që autori ka rrëfyer momentet menjëherë pas aktit, duke pohuar se gjyqtari ishte ende i vetëdijshëm.

“Ju afrova gjyqtarit për ta parë dhe mbaj mend që ishte i shtrirë në dysheme. I gjallë dhe i vetëdijshëm,” ka deklaruar Shkambi, sipas pjesëve të publikuara nga dosja hetimore.

Ngjarja ndodhi pas shpalljes së vendimit nga gjyqtari Kalaja, ku pati një shkëmbim fjalësh me Gjon Shkambin, xhaxhai i autorit dhe palë e pakënaqur me vendimin.

“Po të vërtetoj ato që ka thënë e gjithë Shkodra për ty, që ti je…” – i është drejtuar Gjon Shkambi gjyqtarit, i cili ka reaguar shkurt: “Vazhdo ti, vazhdo.” Vetëm pak sekonda pas këtij shkëmbimi, ndodhi tragjedia: Një i vrarë dhe dy të plagosur në sallën nr. 3 të Gjykatës së Apelit.

Sipas dëshmisë së sekretarës së gjykatës, Elvis Shkambi nuk u largua nga salla si pjesa tjetër e palëve, por iu afrua podiumit dhe qëlloi me armë gjyqtarin teksa ai po tentonte të shkonte drejt dhomës së këshillimit.

“U ngrita në këmbë dhe vendosa duart në kraharor,” ka deklaruar ajo, duke shtuar se autori i tha: “Nuk kam gjë me ty.”

Hetuesit kanë zbuluar se në automjetin e Gjon Shkambit, të parkuar pranë Xhamisë së Namazgjasë, u gjetën 31 fishekë të kalibrit 9 mm, të cilët dyshohet se janë fishekë manovër.

Gjon Shkambi, i cili ndodhet në paraburgim, ka deklaruar se nuk kishte dijeni për veprimin e nipit të tij. “Na fike,” ka thënë ai pas ngjarjes, sipas dëshmisë së tij.

Avokati Kujtim Ibraj, në emisionin “Në Kohë Reale” në RTSH, ka folur për gjendjen e klientit të tij, Elvis Shkambi, i akuzuar për vrasjen e gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, si dhe ka nxjerrë në pah detaje të reja nga hetimet dhe dëshmia e autorit.

“Kam bërë një bisedë me Elvisin dje në paraburgimin e burgut 313 dhe mund të them se gjendja e tij psikologjike është shumë e rënduar,” deklaroi avokati Ibraj. “Ai ka shprehur një pendesë të thellë për veprimin që ka kryer dhe thotë se ka qenë shumë i tronditur në momentin e dhënies së vendimit. Sipas tij, gjithçka ka ndodhur brenda pak sekondave.”

Avokati theksoi se ngjarja është e pajustifikueshme, pavarësisht se bëhej fjalë për një proces civil.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›