E Hënë, 2 Nëntor 2026

Balluku paralajmëron zjarrvënësit: Dënim maksimal për ata që shkaktojnë zjarre qëllimisht

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi se do të ketë dënim maksimal për zjarrvënësit e qëllimshëm.

Balluku e shoqëruar nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Arben Kingji, ndoqi nga afër aksionin për shuarjen e flakëve të zjarrit në Bulqizë, në zonën e Qafës së Buallit, teksa theksoi se për këta persona do të ketë penalitete, si dhe identiteti i tyre do të bëhet publik.

Pavarësisht temperaturave në rritje, Balluka deklaroi se ka pasur zjarrvënie të qëllimshme.

Duke përfituar nga rasti, ajo theksoi se me Kodin e ri Penal do të kërkohet nga parlamenti i ri që zjarrvënie e qëllimshme por edhe zjarrvënie pa dashje, të konsiderohet vepër penale.

Madje shtoi ajo, duhet të ketë të parashikuar penalitete maksimale për këto raste.

“Është bërë punë shumë e mirë nga policia ku ka identifikuar autorët në të gjithë territorin.  Ata do të bëhen shembull dhe ne nuk do ti ruajmë identitetin e tyre për ti bërë shembull.

“Kjo është e patolerueshme. Kjo nuk është vetëm në zonën e Bulqizës, kjo është në të gjithë Shqipërinë. Është bërë punë e shkëlqyer nga punonjësit e policisë, nga zjarrfikësit. Forcat e Armatosura kanë qenë në krye të kësaj beteje me zjarrin”, tha Balluku.

“Ne gjejmë rastin për t’i falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar. E rëndësishme është që nuk kemi pasur humbje në jetë njerëzish. Jugu vijon të jetë në situatë kritike, pritet rënie temperaturash. Kjo do na ndihmojë të rikuperojmë dhe të shuajmë vatrat e zjarrit”, theksoi ajo.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›