Baloteli shënon dhe heq bluzën, gjobë nga klubi
Mario Baloteli vazhdon të shënojë gola, duke qenë vendimtar për fatet e Milanit, por nga ana tjetër, marrëdhëniet e tij me gjyqtarët vazhdojnë të mbeten të tensionuara. Kë-të e tregojnë faktet, pasi bomberi italian ka marrë plot 6 kartonë të verdhë në 10 ndeshje, gjë që nuk arrin ta gëlltisë as administratori Galiani. Numri 2 i shoqërisë konfirmon gjobën ndaj lojtarit, pasi hoqi fanelën në momentin e golit vendimtar kundër Torinos. "Bëhet fjalë për marrëdhëniet tona brenda dhomave të zhveshjes dhe nuk dua të bëj asnjë koment. Heqja e fanelës nuk është diçka e mirë, por raporti i golave të shënuar me gabimet janë 9 me 1 në favor të rrjetave. Baloteli i dashuron këto ngjyra, sepse e kam parë që në moshën 9-vjeçare duke bërë xhiro me posterin e Milanit. Unë mendoj se të gjithë janë profesionistë, por kur je edhe tifoz, edhe lojtar i së njëjtës skuadër, atëherë kjo është akoma më mirë. Tashmë kemi një ndeshje përballë Peskarës", - është shprehur Adriano Galiani.