E Enjte, 5 Nëntor 2026

Bamir Topi jep dorëheqjen nga kreu i FRD

Ish presidenti i Republikës Bamir Topi jep dorëheqjen nga posti i kryetarit të partisë “Fryma e Re Demokratike”. “Jap dorëheqjen në mënyrë të menjëhershme dhe të parevokueshme nga detyra e kryetarit të FRD-së” citohet të jetë shprehur zoti Topi në dorëheqjen e tij të shkurtër. Vendimi i tij vjen pak orë pasi partia e tij “Fryma e Re Demokratike u zyrtarizua si pjesë e koalicionit opozitar “Partia Demokratike – Aleanca për Ndryshim”. Marrëveshja përkatëse u lidh mes kreut të PD Lulzim Basha dhe zoti Sali Shehu tashmë në krye të FRD.
Dorëheqja e  zoti Topi nga partia që krijoi vetë pak vite më parë, pa dyshim ka lidhje me qëndrimet e tij ndaj PD dhe kryetarit aktual Lulzim Basha. Në një intervistë para disa kohësh, zoti Topi e cilësoi zotin Basha si një pupac të Berishës. I pyetur nëse e mendonte ndonjëherë Lulzim Bashën kryeministër, ishte përgjegjur:”Shkencërisht kam kuptuar që kurrsesi nuk mund të shohësh një ëndërr, që sheh dikush tjetër”. Zoti Topi do të mbahet mend për marrëdhëniet e tensionuara me ish shefin e tij Sali Berisha, veçanërisht në ngjarjet e janarit të vitit 2011 para selisë së kryeministrisë ku u vranë katër protestues. Në atë kohë zoti Topi ishte president dhe zoti Berisha kryeministër. Ky i fundit e akuzoi zotin Topi si pjestar në një “puç shteti” dhe e etiketoi si “horr bulevardi”. Në vjeshtën e vitit 2012 ish presidenti krijoi partinë “Fryma e Re Demokratike. Në zgjedhjet e kaluara parlamentare, zoti Topi dhe partia e tij u radhitën në koalicionin e udhëhequr nga kryeministri Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›