Ban Ki Moon sot nis turneun në Ballkan

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon, nisë sot vizitën e tij 10-ditëshe në Ballkanin Perëndimor. Ndalesa e parë e tij do të jetë në Slloveni ku do të takohet me presidentin Danilo Tirk, kryeministrin Janez Jansha dhe kryetarin e Parlamentit, Gregor Virant.
Më pas ai do të qëndrojë në Kroaci, në takimet me ministren e jashtme Vesna Pushiç dhe do të jetë i pranishëm me një leksion në Akademinë për Zhvillim Politik me rastin e 20 vjetorit të anëtarësimit të Kroacisë në OKB. Më pas Ban Ki Moon do të jetë në Brione, ku do të pritet nga presidenti kroat Ivo Josipoviç dhe kryeministri Zoran Milovanoviç. Në Kroaci, sekretari i OKB-së do të vizitojë edhe lokalitetet dhe monumentet historike që janë nën mbikëqyrjen e UNESCO-s.
Sekretari i OKB-së vijon më pas turin e tij me qëndrimin në Malin e Zi ku do të takohet me presidentin e vendit, ndërsa do të qëndrojë edhe në qytetin Cetinje, si kryeqytet historik i Malit të Zi. Nga Mali i Zi vazhdon turi në Serbi, ku janë parashikuar takim me kreun e shtetit Tomosllav Nikoliç.
Destinacion i radhës do të jetë Kosova, ku do të pasojnë takimet me vizitën në misionin e UNMIK-ut në Prishtinë, dhe më pas takimet me presidenten Atifete Jahjaga, kryeministrin Hashim Thaçi dhe kryeparlamentarin Jakup Krasniqi. Ai gjithashtu në Kosovë do të vizitojë manastirin e Deçanit, një Pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, si dhe qytetin e Prizrenit.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara më pas do të qëndrojë në Shkup, ku janë parashikuar takimet me presidentin Gjorgje Ivanov, kryeministrin Nikolla Gruevski si dhe do të mbajë një fjalim në Parlamentin e Maqedonisë.
Ndalesa e fundit do të jetë Bosnjë-Hercegovina, ku kanë parashikuar takim me kreun e shtetit, vizita në Srebrenicë dhe rajone të tjera të vendit.
Mësohet se vitizata e Ban Ki Moonit në Ballkanin Perëndimor realizohet me rastin e 20 vjetorit të anëtarësimit në OKB të vendeve të shkëputura nga ish-Jugosllavia.