E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ban Ki Moon: Serbia dhe Kosova të bashkëpunojnë

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon u ka bërë thirrje Serbisë dhe Kosovës që të vënë mënjanë konsideratat e statusit në interes të arritjes së bashkëpunimit rajonal.
Kërkoj fleksibilitet në vazhdimin e përcaktimit të metodës së veprimit kur flitet për pjesëmarrjen e Kosovës në mekanizmat rajonal dhe ndërkombëtar dhe forumet që janë esenciale për zhvillimin ekonomik dhe demokratik dhe stabilitetin afatgjatë në rajon, thotë Ban në raportin e fundit për Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbi misionin e UNMIK-ut në Kosovë.
Raporti i fundit tregon përmirësim në marrëdhëniet e UNMIK-ut me autoritetet kosovare pasi më parë ishin tejet të kufizuara me të dërguarin e posaçëm Lamberto Zannier. Po ashtu raporti thotë se situata e përgjithshme e sigurisë është realitivisht e qetë por e brishtë.
UNMIK-u mbetet i angazhuar për të ndihmuar të gjitha palët për të gjetur zgjidhje praktike për çështjet e interesit të përbashkët, thuhet në raport. Pavarësisht bashkëpunimit me të gjitha palët, arrija e marrëveshje ka qenë e vështirë në fusha si drejtësia, doganat dhe trashëgimia kulturore, thuhet në raport.
Raporti citon rënien e tensioneve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në komunitetin verior Kroi i Vitakut, por thekson se situata në veri mbetet e brishtë. Raporti thotë se incidentet ndëretnike vazhdojnë të ndodhin në Mitrovicë.
Në raport thuhet se qëllimi strategjik i UNMIK-ut mbetet nxitja e sigurisë, stabilitetit dhe respekti për të drejtat e njeriut në Kosovë dhe rajon.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›