E Diel, 1 Nëntor 2026

Banda e Durrësit, dëshmitarët tregojnë për vrasjen e Dritan Sallakut



Laureta Rryçi

Procesi ndaj bandës së Durrësit vijoi dje me dëshmitë e dëshmitarëve të thirrur nga akuza. Prokurorët e çështjes, i dhanë rëndësi vrasjes së Dritan Sallakut. Sipas Prokurorisë kjo vrasje është kryer me urdhër të Lul Berishës, mirëpo me dëshmitë e djeshme i pandehuri Berisha është lehtësuar pasi nuk është identifikuar si i tillë. Madje një nga dëshmitarët, Agim Rexhepagaj tregoi se e ka shok Lul Berishën dhe se ky i fundit nuk ka pasur asnjëherë konflikt me Dritan Sallakun. Në procesin gjyqësor ndaj bandës së Durrësit kanë dëshmuar dy persona të cilët mbetën të plagosur në atentatin që iu bë Dritan Sallakut. Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur në vitin 1998 përballë shkollës 17 Nëntori në Durrës.
Dëshmitë
Dy dëshmitarët Agim Rexhepagaj dhe Ilir Nelaj kanë sjellë dhe një herë në sallën e gjyqit të gjithë ngjarjen, ndërsa kanë rrëfyer se ndodheshin në një lokal së bashku me viktimën Dritan Sallaku dhe një person të 4-t, kur kanë dalë për te automjeti i tyre janë qëllaur me breshëri automatiku nga një tjetër automjet. Si pasojë mbeti i vdekur Dritan Sallaku, ndërsa u plagosën Agim Rexhepagaj dhe Ilir Nelaj. Dy dëshmitarët kanë bërë të ditur se nuk kanë arritur të identifikojnë autorët e kësaj ngjarje. Ndërkaq prokuroria pretendon se kjo ngjarje ka si autor anëtarët e Bandës së Durrësit. Dëshmi më të detajuar dha dje dëshmitari Rexhepagaj. Sipas tij ditën e ngjarjes ai ka qenë ulur në lokal me Nelajn dhe Sallakun. Kanë lëvizur që aty për të shkuar deri te makina e Nelajt. Ndërsa Sallaku dhe Nelaj ishin me kurriz, dëshmitari ka vënë re që drejt tyre ka ndaluar një makinë dhe kanë qëlluar mbi ta. Nga të shtënat Sallaku ka mbetur i vdekur në vend ndërsa dy të tjerët të plagosur. Personat që kanë qëlluar rastësisht aty i kanë nisur drejt spitalit të Durrësit. “Edhe pse ne u plagosëm, më pas mësuam se shënjestra ka qenë dritan Sollaku dhe jo ne”, tha Agim Rexhepagaj. “ Unë jam nga Durrësi dhe në vitin 1998 kam qenë i papunë.
Autorët
“Mbaj mend që në makinë ishin tre persona por nuk i njoha. Më pas kam dëgjuar nëpër kafe se na ka qëlluar një person me emrin Pëllumb, të cilin nuk e identifikoi dot më tepër”, tha Agim Rexhepagaj. Dëshmia e tij u kundërshtua në disa pjesë nga prokuroria. Sipas Anton Martinit, dëshmitari në datë 9 maj 2006 është shprehur se “ personat që ishin në makinë kishin flokë të gjatë që mu dukën si paruke”. Rexhepagaj tha se me Lulzim Berishën njiheshin mirë dhe nuk besonte se ai ndodhej atë natë në makinën që qëlloi mbi ta. Ndërsa shtoi se nuk ka patur dijeni nëse marrdhëniet mes Berishës dhe Sollakut kanë qenë të mira. Sipas tij viktima ka qenë për një kohë të gjatë në Itali dhe ata njiheshin vetëm si çuna lagje. Edhe Ilir Nelaj i tha gjykatës të njëjtat gjëra për ngjarjen ku mbeti i plagosur. Megjithse mori një plumbë në kurriz, ai ende nuk e ka mësuar se kush qëlloi.

23 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›