“Mini - Gërdeci”, Librazhd, kapsolla plagos disa persona në poligonin e demontimit
Një tjetër shpërthim është regjistruar në një poligon të demontimit të municioneve në Librazhd, ku flitet për më shumë se dy të plagosur. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi dje, rreth orës 14.30 në uzinën e Zgarës, në rrethin e Librazhdit. Sipas shefit të Komisariatit në këtë rreth, janë lënduar shtetasit, Liman Boriçi dhe Hysni Xhaxhai. Por, nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe punonjës të tjerë të uzinës që mund të jenë plagosur si pasojë e shpërthimit të një kapsolle gjatë çmontimit të predhave. Kjo ngjarje ndodh pas tragjedisë së Gërdecit dhe disa incidenteve të tjera që kanë ndodhur në repartet e asgjësimit të armëve dhe municioneve në vendin tonë, në kohën kur kërkohen masa të rrepta sigurie në punët që kryejnë procese të tilla.
Ngjarja
Në mesditën e djeshme Liman Boriçi dhe Hysni Xhaxhai kanë qenë duke çmontuar disa predha në uzinën e Zgarës, në rrethin e Librazhdit. Pikërisht në orën 14.30 është dëgjuar një shpërthim në poligonin e demontimit ku ndodheshin dy punonjësit. Një pakujdesi e vogël për pak sa nuk ka shkaktuar një tragjedi. Shefi i komisariatit të Librazhdit, Ferdinand Dushaj thotë se personat e plagosur janë efektivë të specializuar në demontimin e predhave, ndërsa shpërthimi erdhi pas plasjes aksidentale të një kapsolle. Sipas tij, dy të plagosurit kanë marrë ndihmën në Spitalin e Librazhdit. Të njëjtën gjë konfirmoi edhe komandanti i Qendrës së Demontimit, Shkëlzen Mëhilli, i cili bëri të ditur se shpërthimi në uzinë ka ardhur si rezultat i shpërthimit të një kapsolle, ku ka mbetur i plagosur lehtë në këmbë efektivi Bledar Hysni Xhaxhai. Mëhilli thekson se efektivi është dërguar menjëherë në spitalin e Librazhdit dhe pas marrjes së ndihmës së parë është larguar për në shtëpinë e tij, jashtë rrezikut për jetën. Burime jo zyrtare, konfirmojnë për plagosjen e një personi të tretë, që mund të jetë nisur drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë. Në qendrën spitalore në kryeqytet, mjekët janë lajmëruar që të jenë në gatishmëri për të pritur të plagosurin nga Librazhdi.
Hetimi
Menjëherë pas shpërthimit në vendngjarje kanë shkuar ekspertët e Policisë Ushtarake, të cilët kanë nisur hetimin. Uzina e Demontimit është rrethuar nga forca të shumta policie. Komandanti i qendrës së demontimit konfirmon se poligoni i Demontimit është i miratuar nga parlamenti shqiptar dhe efektivët që punojnë atje janë të specializuar në proceset e demontimit të municioneve. “Poligoni asgjëson municione të rrezikshme. Asgjësimet bëhen me demontim dhe me plasje. Municionet janë predha luftarake, mina, granata etj. Poligoni ka vite që funksionon dhe ne nuk kemi pasur asnjë problem. Ekipi është mjaft i kualifikuar dhe nuk kemi pasur asnjëherë probleme”, - deklaroi Mëhilli. Sipas tij, siguria në punë është maksimale, ka vëzhgime maksimal, - theksoi drejtuesi i Poligonit.
23 Prill 2010