E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banda e Lushnjes, tortura të afërmëve të rivalëve

Adem Arapi, Miku i familjes së Gramoz Selmanit tregoi se e kishin torturuar që të tregonte vendndodhjen e Gramoz Selmanit


"Më kërcënuan për djalin, që t'iu tregoja ku ishte Artur Daja, por pas ca ditësh i pashë me kokën e tij në qese"


TIRANE- Gjatë procesit të djeshëm në ngarkim të Aldo Bares, i akuzuar si kreu i bandës së Lushnjes, dëshmuan disa persona mes të cilëve, vëllai i kunatës së Gramoz Selmanit, Adem Arapi, si dhe Qemal Haliti, vëllai i një personi të vrarë në vitin 1998, krim për të cilin është dyshuar banda e Lushnjes. I pari që dëshmoi ishte vëllai i kunatës së Selmanit, Adem Arapi.


Ai tregoi se në vitin 1998, ishte rrëmbyer nga banda, të cilët kërkonin prej tij të dinin vendndodhjen e mundshme të Gramoz Selmanit. Sipas tij, Ilir Stërgu e Arben Boriçi e kishin dërguar tek garazhi i Aldo Bares, ku edhe e kishin keqtrajtuar. "Kam jetuar në qytetin e Lushnjes. Motra ime është kunata e Gramoz Selmanit.


Arben Boriçi dhe Ilir Stërgu më morën me makinë dhe më çuan tek garazhi. Më torturuan dhe më pyetën ku është Gramoz Selmani. Shkova më pas në spital dhe pas mjekimit të marrë kam qëndruar dy muaj shtrirë në shtëpi,- tha ai ndërsa shtoi se çdo dy ditë i çonin llaf në shtëpi.


Dëshmitari i dytë, Qemal Haliti, tha se pas kërcënimeve ndaj tij, kishte parë, disa persona duke ecur me kokën e Artur Dajës të futur në qese në qytetin e Lushnjes.


Në lidhje me rrëmbimin e kryer ndaj tij, nga pjesëtarët e bandës ai tha se e kishin thirrur Arben Boriçi e Ilir Stërgu, të cilët e kishin dërguar në atë që e quanin komisariati i policisë nr.2. Ai tha se mbante mend se ishte pranverë, ndërsa kishte hipur në veturë, pasi kishte kujtuar se Boriçi e donte për punë.


"Unë sapo dola nga shtëpia atë ditë dhe për të shkuar të pija kafe tek "Ypsiloni" (lokal në Lushnje). Më thërriti Arben Boriçi: Do të vish me ne. Ishte edhe Ilir Stërgu me të. Më çuan tek garazhi, aty ku i thoshnin Komisariati nr.2. Atje brenda ishte edhe Leonard Prifti. Më lidhën dhe më torturuan.


Më pyesnin për Gramoz Selmanin. Nga dhuna e ushtruar ndaj meje aty, kam humbur ndjenjat, ndërsa më pas e pashë veten se ndodhesha në spital,- tha Arapi. Më tej ai shtoi: Pas pesë ditësh shkova në shtëpi.


Në ditët në vazhdimi vinin dhe pyesnin tek shtëpia. Thërrisnin gruan time, që tani nuk jeton më. I kërkonin shpjegime, se ku ishte Gramoz Selmani. E kërkonte Fredi thonin ata, por unë nuk e di kush është Fredi.


Gruaja kishte punuar me të dhe e njihte. Mbiemrin 'Shkurti' e kishte ai. Më tej ai pohoi se nuk e kishte denoncuar rastin, tashmë e kishte kaluar. Pas tij, dëshmoi Qemal Haliti, të cilit në vitin 1998, banda dyshohet se i ka vrarë vëllain, pasi kishte lidhje me Artur Dajën.


Ai tha se nuk e dinte kush ua kishte vrarë vëllain, por se nusja e vëllait i kishte thënë se në mëngjesin e ngjarjes atë e kishte marrë Ilir Stërgu, Dondollaku, Boriçi dhe Leonard Prifti. Ata i kërkonin të dinin se ku ishte Artur Daja.


Për t'i treguar vendndodhjen ata e kërcënuan për të birin. "një ditë para Policisë, më foli Dondollaku, nga furgoni i bardhë: Nuk na dhe përgjigje për atë që të thamë. I thashë që nuk dija gjë. Pak metra më tej më tha: Do ta qash çunin. Ngrita duart e nuk i thashë gjë. Më tej ai tregoi se pas disa ditësh kishte parë pjesëtarë të bandës me kokën e Artur Dajës të futur në një qese duke e shëtitur.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›