E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmenden temperaturat, mjekët japin alarmin

Sipas sinoptikanëve, i nxehti afrikan ka mbërritur në vendin tonë dhe temperaturat do të rriten akoma më shumë. Këshillat e mjekëve


I nxehti afrikan tashmë ka mbërritur në vendin tonë dhe temperaturat do të rriten akoma më shumë në fundjavë deri në 40 gradë celsius. Meteorologët e shërbimit të Forcave Ushtarake treguan se dje temperaturat maksimale të regjistruara në vendet e ulëta ishte 37 gradë celsius, por qytetarët e ndiejnë tre deri në katër gradë më shumë.


E ndërsa temperaturat rriten, mjekët japin këshilla, sidomos për fëmijët dhe të moshuarit, se si të mbrohen nga i nxehti.


Temperaturat


Nga të dhënat sinoptike, dita e djeshme është karakterizuar përgjithësisht nga temperatura relativisht të larta që kanë përfshirë pothuajse të gjithë vendin. Temperatura më e lartë është shënuar në Tiranë, plot 34 gradë Celsius, kurse më e freskëta në zonën juglindore, përkatësisht në Korçë me 28 Gradë Celsius. Por, sinoptikanët theksojnë se dita më e nxehtë ende nuk ka mbërritur.


"Ndërsa temperaturat sot do të rriten edhe më një ose dy gradë, të premten termometri në Tiranë do shënojë plot temperaturën rekord të javës, atë 37 gradë Celsius dhe po e njëjta temperaturë pritet të shënohet dhe në Durrës", pohojnë sinoptikanët, të cilët shpjegojnë se njerëzit i ndjenë temperaturat deri në 4 gradë celsius më shumë nga sa shënon termometri, sepse kjo varet nga vendi ku janë njerëzit, lagështia e matjeve dhe faktorë të tjerë. Ndërkohë, ata pohojnë se të shtunën pritet që moti të freskohet me 3-4 gradë më pak.


Mjekët


Fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët kronikë duhet të evitojnë orët e pikut dhe të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe fruta. Kështu shprehen mjekët, të cilët theksojnë se në këtë periudhë dehidratimi i trupit nga lëngjet është shumë i lartë, ndaj këshillohet që çdo njeri të konsumojë deri në 2 litra ujë në ditë.


Mjekët këshillojnë që të evitohen daljet në orët e pikut, të konsumohen sa më shumë lëngje dhe të tregohet kujdes me higjienën e ushqimeve. Më të rrezikuarit janë fëmijët dhe të moshuarit.


"Vapa e tepërt mund t'iu shkaktojë shumë çrregullime në organizëm dhe t'iu provokojë një sërë sëmundjesh, duke filluar nga ato më të lehta, deri tek sëmundjet më të rënda", pohon specialistja e Institutit të Shëndetit Publik, Lumturi Mërkuri, e cila thekson se duhet të evitohen orët e pikut. Sipas specialistëve pediatër, rritja e temperaturave ka shkaktuar probleme të ndryshme tek fëmijët dhe kryesisht, rrahje të shpeshta të zemrës.


Sipas mjekëve, njerëzit duhet të rrinë në vende me gjelbërim në periudhën më të freskët të ditës. Të përdoren kapele për të mbrojtur kokën dhe qafën. Të përdoret dietë ushqimore me zarzavate të përpunuara mirë termikisht (të gatuara me vaj misri ose ulliri). Të evitohet përdorimi i yndyrave shtazore (gjalpë, dhjamë) dhe kripës së tepërt.


Të përdoren lëngje (ujë higjenikisht i pastër, lëngje frutash të freskëta, supa). Për të moshuarit nuk rekomandohen banja dielli, por frekuentimi i vendeve malore, si dhe të eliminojnë udhëtimet e gjata.


Goditjet nga dielli

Shmangia nga dielli rekomandohet për të shmangur pikërisht goditjet nga dielli. Kjo është gjendja më e rëndë që mund të shfaqet dhe përbën një rast urgjent. Kjo ndodh kur aftësitë fiziologjike, të termorregullimit nuk përballojnë rritjen e madhe të temperaturës trupore.


Në këto kushte mund të ndodhë që organizmi të mos reagojë dhe të çojë deri humbje të vetëdijes dhe probleme më serioze për jetën. Ndaj, mjekët këshillojnë që të mbrohet koka me kapele, si dhe të evitohen qëndrime për një kohë të gjatë nën rrezet e diellit, sidomos në orët e nxehta të ditës.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›