E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bangladesh shembja e godines mbi 1 mije viktima

Bilanci i viktimave të shembjes së një ndërtese në Bangladesh kaloi 1 mijë viktima, informuan të premten autoritetet vendase.

Shembja e ndërmarrjes 8-katëshe të prodhimit të veshjeve, si rrjedhojë e punimeve të dobëta dhe ndërtimit pa kriter të kateve shtesë në kryeqytetin Dhaka, gjithashtu ka shkaktuar 2 500 të plagosur. Bilanci i fatkeqësisë së ndodhur në 24 prill, për fat të keq nuk është ende përfundimtar, ndërsa forcat e shpëtimit vazhdojnë të gjejnë viktima në rënoja. Shtypi vendas, ndërkohë, ka nisur një “kryqëzatë” edhe kundër forcave të shpëtimit, sepse gjithmonë e më shumë viktima po gjenden me trupa të paprekur mes inerteve, por të vdekur si pasojë e mungesës së ujit e ushqimeve, pas vonesës së regjistuar në shpëtimin e tyre. Ditën e enjte, mediat ndërkombëtare transmetuan edhe imazhe prekëse, të një çifti bashkëshortësh, punëtorët të ndërmarrjes, që kishin pritur së bashku vdekjen të përqafuar në gërmadhat e ish-fabrikës. Deri tani, nëntë persona, mes të cilëve pronari i ndërtesës, janë arrestuar, në lidhje me akuzat e ngritura për neglizhencë dhe vrasje e shumëfishtë nga pakujdesia. Ndër incidentet e ngjashme më fatale të kohëve moderne, me përjashtim të sulmeve të 11 shtatorit në Nju Jork, ka qenë ai i godinës Sampoong në Seul të Koresë së Jugut në vitin 1995, ku 502 persona humbën jetën. Bangladeshi ka një ndër industritë e veshjeve më të mëdha në botë dhe shumë prej rrobave të prodhuara në ndërtesë ishin bërë për shitësit Perëndimorë. Ndërkohë, Bashkimi Europian ka deklaruar se po konsideron seriozisht ndërmarrjen e një aksioni për të inkurajuar përmirësimin e kushteve të punës në fabrikat e vendit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›